"Rusiagate" prek ndoshta dhëndrin e presidentit Trump

"Rusiagate" prek ndoshta dhëndrin e presidentit Trump

20 May 2017 11:32

Sipas mediave britanike një funksionar i lartë i Shtëpisë së Bardhë është i përfshirë në skandalin ‘Rusiagate’ dhe për këtë arsye FBI do e marrë në pyetje. Personi në fjalë mendohet të jetë pikërisht dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Një funksionar i lartë i Shtëpisë së Bardhë shumë pranë Donald Tramp, ndoshta vetë dhëndri i tij Jared Kushner, mendohet të jetë i përfshirë në hetimet për ‘Rusiagate’. Këto janë raportimet e fundit të mediave amerikane dhe atyre britanike për hetimin që po mban pezull presidentin amerikan. Avokatët e Shtëpisë së Bardhë ndërkohë kanë nisur të studiojnë procedurat e "impeachment" për të qenë gati në rast se Tramp vihet nën akuzë.

Në mënyrë të veçantë është britanikja "Independent" që përmend emrin e dhëndrit të presidentit Jared Kushner, bashkëshort i Ivanka Trump aktualisht këshilltar ekspert i Shtëpisë së Bardhë. Sipas të përditshmes britanike, hetuesit e FBI-së duan të marrin në pyetje Kushner në kuadër të hetimeve për Russiagate.

Nga ana tjetër Nju Jork Tajms publikon të dhënë të reja për sa i përket takimit në Zyrën Ovale me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 10 maj. Në këtë takim Tramp foli edhe për pushimin nga puna të James Comey si drejtor i FBI, duke pohuar se një vendim i tillë do të lehtësonte presionin e fortë mbi të. Madje Tramp e ka cilësuar atë si një të çmendur që ka dalë jashtë kontrollit.

Ndërkohë Comey ka pranuar të merret në pyetje në një audiencë publike nga Komisioni i Shërbimit të Inteligjencës së Senatit që po heton Russiagate. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryetari i këtij komisioni, senatori republikan Richard Burr, edhe pse data nuk është caktuar ende.

Në disa biseda të përgjuara nga agjentët sekretë amerikanë gjatë fushatës presidenciale të Tramp, disa funksionarë rusë lëvdoheshin për miqësinë e fortë me ish-gjeneralin Michael Flynn. Miqësi e tillë që mund të influenconte dhe Tramp e ekipin e tij. Lajmi është raportuar nga CNN duke shpjeguar se biseda të tilla shqetësuan aq shumë shërbimin sekret amerikan sa disa nga protagonistët kufizuan informacionet që ndanin me Flynn i cili në atë kohë u emërua këshilltar për sigurinë kombëtare.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme