Botë

Ulet prodhimtaria e naftës për 500.000 fuçi shtesë në ditë

Foto: Reuters

OPEC-u dhe aleatët e saj kanë arritur marrëveshje që të ulin prodhimtarinë e përbashkët të naftës së papërpunuar për 500.000 fuçi shtesë në ditë. E këtë do ta bëjnë për tremujorin e parë të vitit 2020.

Ulja shtesë e prodhimtarisë së naftës do të zbatohet nga 1 janari i vitit 2020 dhe do t'i shtohet marrëveshjes aktuale të prodhimit të naftës, raporton KTV.

Grupi i shteteve të OPEC-ut, i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe shtetet jashtë OPEC-ut të udhëhequra nga Rusia, në dhjetor të vitit 2018 u pajtuan që ta ulin prodhimtarinë e përbashkët të naftës për 1.2 milion fuçi në ditë, deri në qershor të vitit 2019.

Këto shtete e vazhduan këtë marrëveshje deri në fund të muajit mars, 2020. Ndërsa Arabia Saudite do të marrë përsipër pjesën më të madhe të barrës të shkurtesës prej 500.000 fuçi në ditë, duke ulur prodhimin e saj individual me 167.000 fuçi në ditë.