Botë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes konfirmon largimin nga Siria

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen ushtarake në veri-lindje të Sirisë, duke u vendosur në pozicion më të qëndrueshëm me kapacitet prej 600 trupave në pjesën tjetër të vendit.

Zhvendosja është bërë pas ri-pozicionimit dhe zvogëlimit të forcave, ka njoftuar Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, transmeton KTV. Komentet e Esperit në intervistën për Reuters mund të sinjalizojnë përfundimin e një periudhe debatesh dhe pasigurisë rreth pranisë ushtarake amerikane në Siri, pas urdhrit të presidentit për tërheqje në tetor.

Që atëherë, nivelet e trupave në Siri kanë rënë rreth 40 për qind. Esperi gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë për të ulur më tej nivelin e trupave amerikane në Siri nëse aleatët evropianë kontribuojnë në misionin e Sirisë.

Ushtria amerikane thotë se është e përqendruar në parandalimin e rikthimit të ISIS-it në Siri dhe ka kryer një operacion muajin e kaluar që çoi në vdekjen e liderit Abu Bakr al-Bagdadi.

Ndërsa Trumpi, në samitin NATO-s në Londër, tha se ai dëshiron që forcat amerikane të qëndrojnë për t’u siguruar që rezervat e naftës në Siri të mos binin në duart e grupit militant.