Botë

Vrasja e gazetares detyron kryeministrin e Maltës të japë dorëheqje

Hetimet për vrasjen e gazetares më të njohur hulumtuese në vend dhe protestat e mëdha, kanë detyruar kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, që të japë dorëheqje nga posti i tij, por këtë e paralajmëroi vetëm pas muajit janar të 2020-s.

Ani pse tre persona janë në paraburgim për vrasjen me bombë në veturë të gazetares, Daphne Caruana Galizia, policia malteze në muajt e fundit, ka filluar hetimet për të gjetur urdhërdhënësin e vrasjes së saj.

Gjatë javëve të fundit, njerëzit përmes protestave të njëpasnjëshme i kanë bërë thirrje kryeministrit që të japë dorëheqje, por ai u rezistoi këtyre thirrjeve. E kupa u mbush kur shefi i kabinetit të tij, u arrestua nën dyshimin se është njëri nga personat që planifikoi vrasjen e gazetares që po hulumtonte aferat e korrupsionit mes biznesmenëve dhe elitës politike.

“Në muajt e ardhshëm do të nisim procesin me qëllim që shteti ynë të ketë kryeministër të ri që do të vazhdojë punën e kësaj qeverie. Pas dorëheqjes sime, i takon partisë laburiste që të fillojë procesin e zgjedhjes së liderit të ri”, ka thënë Muscat.

E muaji janar është i largët për maltezët që duan me çdo kusht largimin e kryeministrit. Edhe pas njoftimit të dorëheqjes, maltezët kanë paralajmëruar protesta të reja me qëllim që Muscat të japë dorëheqje të menjëhershme dhe të mos presë deri pas Vitit të Ri.

“E ardhmja është misterioze. Duket se është një re e madhe mbi ne. Shpresoj të ndodhë një mrekulli, sepse në këtë skandal janë të përfshirë një numër njerëzish. Kemi humbur besimin në polici dhe tek autoritetet e tjera. Nuk mund t’i besojmë më shtetit, por shpresoj në ndërrim të situatës”, është shprehur protestuesi Malcolm Vella.

shefit të kabinetit, në muajin nëntor u arrestua edhe biznesmeni maltez Yorgen Fenek. Ai u arrestua teksa me jahtin e tij tentoi të ikte nga ishulli.

Gazetarja Daphne Caruana Galizia, u vra me një bombë të vendosur në veturën e saj në vitin 2017. Vrasja e saj ngjalli reagime të mëdha ndërkombëtare për mënyrën e menaxhimit të shtetit të Maltës.