Botë

Moti kohë para Trumpit, hija e shkarkimit ndoqi presidentë të shumtë

Teksa presidenti George Bush bëhej gati që t’i urdhëronte trupat amerikane në luftë për t’i nxjerrë pushtuesit irakianë nga Kuvajti, druante se kjo punë mund t’i jepte fund presidencës së tij.

“Në rast se zvarritet”, ka shkruar ai në ditarin e tij më 20 dhjetor 1990, “jo vetëm se mua do të më bie faji, por mbase edhe do të niset procesi i shkarkimit kundër meje”.

Njëmbëdhjetë ditë më vonë, në një letër fëmijëve të tij, ai citoi një senator demokrat tek i thoshte se “nëse puna zvarritet”, atëherë do të duhej “që të përgatitej për faktin se disa në Kongres mund t’i përgatisin letrat për shkarkim”. Në ditën kur lufta nisi, një kongresist demokrat njëmend e bëri këtë gjë, duke e shfrytëzuar një rezolutë të shkarkimit për ta akuzuar për “konspiracionin e krimit kundër paqes”.

Për fat të mirë të Bushit, lufta ishte relativisht e shkurtër dhe përpjekjet për shkarkimin e tij dështuan. Por ai zor se ishte i vetmi president që pati hall të tillë.

Derisa presidenti aktual, Donald Trump, është vetëm i katërti kryekomandant në historinë e Amerikës që ballafaqohet me kërcënimin serioz të shkarkimit, gjasa të këtilla kanë pasur edhe shumë pararendës të tij, duke u ballafaquar me një shqetësim të bezdisshëm që ua trazonte mendimet disave e për disa të tjerët ishte shpata kushtetuese e Demokleut.

Shkarkimi ka shërbyer jo vetëm si një mjet për largimin e një presidenti të korruptuar nga detyra, siç e parasheh Kushtetuta – në fakt, këtë synim kurrë nuk e ka përmbushur, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Presidentët, Andrew Johnson dhe Bill Clinton, janë hetuar për shkarkim në Kongres, por janë shfajësuar pas gjykimeve në Senat, teksa presidenti Richard M. Nixon dha dorëheqje para se Kongresi të mund të votonte.

Proceset jo të rralla të shkarkimit

Ama shkarkimi ka shërbyer edhe si një frenues, si një pasojë që presidentët përherë e kishin parasysh kur merrnin vendime që kalonin në territor të pasigurt.

Presidentët janë akuzuar për krime të larta dhe për kundërvajtje e për përzgjedhje të kontestuara politike. Janë vënë në shënjestër të hetimeve për shkarkim shkaku i abuzimit me detyrën e tyre, fshehjes së informatave prej Kongresit dhe demonstrimin e udhëheqjes së dobët morale. Janë kërcënuar me largim për shkak të shkeljes së urdhrave gjyqësore, ligjeve statusore, Kushtetutës dhe madje Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Përtej Johnsonit, Nixonit, Clintonit dhe tani Trumpit, ligjvënësit kanë paraqitur rezoluta zyrtare shkarkimi kundër të paktën shtatë presidentëve të tjerë, që do të thotë se çdo i katërti prijës i Shtëpisë së Bardhë është përballur me akuza për krime të larta dhe kundërvajtje, teksa të tjerët janë kërcënuar. Shumicën e kohës, përpjekja nuk paraqiste ndonjë rrezik serioz. Mirëpo, si në rastin e Bushit, padyshim se mund të ketë impakte te ata.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)