Botë

Koreja Veriore i përgjigjet kryeministrit japonez, e quan budalla

Koreja e Veriut e ka quajtur budalla dhe xhuxh politik kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe. Shteti komunist e akuzoi atë për keqinformim, sa i përket testimit të fundit të armëve.

Kryeministri japonez e kritikoi Korenë Veriore për lansime të përsëritura të raketave balistike, pasi dy predha u lëshuan të enjten, raporton KTV.

Por, qeveria e udhëhequr nga Kim Jong-un, këmbënguli se po testonte një hedhës shumë të madh raketash.

Të shtunën, media shtetërore e shtetit komunist tha se Japonia mund të shohë se çfarë është një raketë e vërtetë balistike në një të ardhme jo të largët.

Koresë së Veriut i është ndaluar të gjuajë raketa balistike, sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vendi është nën sanksione të ndryshme mbi programet raketore dhe bërthamore. Heqja e sanksioneve ka qenë synim kryesor i Veriut në bisedime me SHBA-në, që është aleate e Japonisë.

Por, bisedimet kanë ngecur qëkur dështoi takimi mes liderit Kim Jong-un dhe presidentit Donald Trump, në muajin shkurt.

“Lansimet e përsëritura të raketave balistike të Koresë së Veriut janë kërcënime serioze jo vetëm për vendin tonë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar”, tha mes tjerash Abe. E televizioni shtetëror publikoi disa fotografi ku dukej Kim Jong-un duke inspektuar lansimin.