Lucette Destouches ishte 107-vjeçare dhe kishte bërë goxha emër gjatë viteve të shkuara. Fillimisht si valltare dhe bashkëshorte, e pastaj edhe si e veja e shkrimtarit më kundërthënës të Francës në shekullin e kaluar, Louis-Ferdinand Celine.
Ajo ishte, po ashtu, dëshmitarja e vetme e mbijetuar e ditëve tragjiko-komike, të fundit të regjimit kolaboracionist të Francës – ditë këto që i jetoi jo në Vichy, por në një mikroshtet bizar francez, krijuar në një kështjellë të Gjermanisë Jugore.
Kolaboracionistë që mbështetët nazistët
Ishte shtatori i 1944-s dhe Lufta e Dytë Botërore ishte në ditët e saj të fundit në Francë. Parisi kishte rënë në duart e aleatëve, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Gjermanët po sprapseshin me një shpejtësi marramendëse.
Çfarë duhej të bënit, po qe se do të ishit një kolaboracionist?
Jo asi kolaboracionisti që kishte ndonjë rol të madh, por fare të vogël, i atij tipi që mban dyert hapur.
Thjesht, duhej mbajtur kokat teposhtë dhe duhej shpresuar se nuk ishit fort të rëndësishëm sa për të rënë në sy.
Ama jo, fjala është për prijës të përnjëmendtë, tifozë të vërtetë. Për ata që i kishin mirëpritur gjermanët, që kishin krijuar parti politike enkas për t’i mbështetur gjermanët, që kishin udhëhequr grupe militante progjermane për t’i përndjekur njerëzit e rezistencës dhe që kishin dërguar trupa për të luftuar përkrah gjermanëve në frontin lindor.
Apo mbase një romancier i shpërblyer, i lartësuar si zë i madh i ri në botën e fiksionit francez disa vjet më parë, por i cili që atëherë e kishte shndërruar lapsin e tij në mënyrë helmuese të të shprehurit antisemitik, të atij lloji që i turpëroi gjermanët, dhe në Parisin nën okupimin gjerman anoi qartazi nga pushtuesi.
I tillë ishte Louis-Ferdinand Celine (i lindur si Louis-Ferdinand Destouches), i njohur gjithandej si Celine, autor i librit “Journey to the End of the Night”, që edhe sot e kësaj dite konsiderohet si një prej veprave më të mëdha të letërsisë evropiane.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)