Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, është distancuar nga kritikat e fundit të Emmanuel Macronit ndaj NATO-s, duke thënë se përderisa presidenti francez ka dashur ta zëvendësojë aleancën ushtarake, Gjermania dëshiron ta forcojë atë.
Macroni tha gjatë këtij muaji se “ajo çfarë jemi duke përjetuar aktualisht është vdekja klinike e NATO-s” dhe Evropa duhet ta forcojë lojën e saj në mbrojtje pas asaj që ai e sheh si rrënim të bashkëpunimit strategjik SHBA-BE përbrenda aleancës.
Në një intervistë për “Welt” të dielën, të cilën e transmeton “Politico”, Kramp-Karrenbauer tha se Gjermania pajtohet që nevojitet bashkëpunim më i madh evropian në politikat e sigurisë, por Parisi ka perspektivë ndryshe nga Berlini.
“Kur Franca flet për bashkëpunim më të madh evropian në mbrojtje, ata flasin për një autonomi strategjike. Francezët po kërkojnë bashkëpunim më të fuqishëm evropian për të zëvendësuar NATO-n”; ka thënë Kramp-Karrenbauer, duke shtuar se ajo, në anën tjetër, është më shumë e brengosur me “aftësinë për të vepruar”, transmeton Koha.net.
“Çfarë dua të them është se çdo forcim i mbrojtjes evropiane forcon edhe shtyllën evropiane të NATO-s”.
Kramp-Karrenbauer, liderë e Kristian-Demokratëve të Gjermanisë (CDU) dhe konkurrente për të pasuar Angela Merkelin në postin e kancelares, shtoi se “Franca ka kulturë të ndryshme ushtarake në krahasim me Gjermaninë”.
“Kjo ka reflektuar në propozimet e fundit të presidentit të saj. Por edhe Gjermania i ka interesat e veta”, tha ajo, duke theksuar rëndësinë edhe të partneritetit të Berlinit me Francën e edhe integrimin e saj në NATO.
Komentet e Kramp-Karrenbauerit vijnë pak para një konference të partisë CDU, ku anëtarët do të diskutojnë qëndrimin e tyre rreth përjashtimit apo jo të gjigantit kinez të pajisjeve të telekomit Huawei nga lansimi i gjeneratës së re të teknologjisë të rrjetit mobil në Gjermani, e njohur si 5G. Ithtarët e përjashtimit të Huaweit i frikësohen spiunimit nga Pekini, gjë të cilën vet kompania e mohon, dhe Merkeli ka hedhur poshtë përjashtimin e plotë të kompanive individuale.
Kramp-Karrenbauer ka thënë se Huawei duhet përjashtuar nëse nuk i plotëson standardet e sigurisë të caktuara nga qeveria.