Erdoganin e zhgënjeu deklarata e Macronit rreth NATO-s

Erdoganin e zhgënjeu deklarata e Macronit rreth NATO-s

14 November 2019 10:20

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ishte zhgënjyer jashtë mase me deklaratën e Macronit rreth Organizatës së Traktatit Veriatlantik. Këtë koment i pari i SHBA-së e ka bërë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, ku ka pritur homologun e tij turk.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar kohë më parë se NATO-ja po e përjetonte “vdekjen klinike”, duke iu referuar një mungese të koordinimit dhe paparashikueshmërisë së SHBA-së së Trumpit. Ai, po ashtu, ka shprehur dyshime rreth maksimës së NATO-s se sulmi mbi një shtet aleat do të trajtohej si sulm mbi të gjithë.

Përshëndetja e përzemërt e Trumpit për presidentin turk vjen midis zemërimit në Kongresin amerikan rreth ofensivës turke të 9 tetorit në Siri, për dëbimin e kurdëve, partnerëve kryesorë të Washingtonit në luftën kundër “Shtetit Islamik”.

“Kemi qenë miq për një kohë të gjatë, pothuajse nga dita e parë. E kuptojmë shtetin e njëri-tjetrit. E kuptojmë se prej nga vijmë”, i ka thënë Trumpi Erdoganit, teksa ata kanë qenë të ulur pranë njëri-tjetrit, në Zyrën Ovale, raporton Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Ata janë tejet të respektuar në shtetin e tyre dhe në rajon”, ka thënë Trumpi për Erdoganin dhe bashkëshorten e tij, Eminën.

Para Shtëpisë së Bardhë, protestues të shumtë janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin për vizitën e Erdoganit, duke e nxitur në të njëjtën kohë Trumpin që t’i mbrojë kurdët e rrezikuar prej ofensivës së Turqisë në Siri. Në njërën pankartë shkruante: “Amerikë qëndroji pranë aleatëve kurdë”.

Trumpi, po ashtu, ka thënë se ata do të diskutojnë për blerjen prej Ankarasë të sistemeve ruse për mbrojtje raketore, S-400. Presidenti amerikan ka shtuar se të dyja palët kanë diskutuar për një marrëveshje potenciale tregtare 100-miliardë dollarëshe.

“Ne po flasim edhe për marrëveshje tregtare… Sinqerisht, do ta fuqizojmë dukshëm raportin tonë tregtar”, ka thënë Trumpi.

Me gjithë përshëndetjen e ngrohtë, Turqia dhe SHBA-ja, aleate në NATO, ndodhen tashmë sa muaj në një kurs përplasjeje, derisa raporti i tyre ka rënë edhe më tej shkaku i Sirisë, pasi që Erdogani e ka nisur një fushatë në shtetin fqinj kundër aleatëve kurdë të Amerikës. SHBA-ja, po ashtu, e ka shprehur zemërimin rreth blerjes prej Turqisë të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore.

Turqia ka shpërfillur paralajmërimet për sanksione amerikane, derisa e ka pranuar dërgesën e parë të sistemit S-400 gjatë muajit korrik. Si kundërpërgjigje, Washingtoni e kishte larguar Turqinë prej programit të aeroplanëve luftarakë F-35, në të cilin Ankaraja ishte si prodhuese, ashtu edhe blerëse. Sidoqoftë, deri më tani, SHBA-ja nuk ka vënë sanksione.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme