Ai kurrë nuk preku telefon me dorë. Nuk kishte shtëpi të përhershme. Iu vodhën rrobat e brendshme nga një informator. Dhe momentet e fundit të jetës së tij u rrëfyen prej presidentit amerikan Donald Trump.
E tillë ishte jeta e njeriut më të kërkuar në botë. Titulli nuk ekziston. Por ky ishte njeriu për fatin e të cilit ishin vënë piketat më të larta. Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i “Shtetit Islamik” që kontrollonte një territor sa ai i perandorisë së dikurshme britanike, ishte përfshirë në skllavëri, torturë, prerje kokash të xhiruara me kamera dhe në dhunë të pakufishme terroriste, duke vrarë njerëz nga më shumë se dyzet shtete, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vrasja e tij e ka lënë ISIS-in – së paku përkohësisht – pa lider, dhe listat e njerëzve më të kërkuara të botës pa një lider famëkeq që rrok vëmendjen e të gjithëve.
Megjithatë nuk ka mungesë njerëzish që mund ta zëvendësojnë, sepse tashmë ka një hierarki në këtë punë. A është një ushtrues birman i gjenocidit më i keq se një terrorist nga Sri-Lanka? Një trafikant francez armësh më i tmerrshëm se një mafioz kinez?
Revista “Forbes” krijonte një renditje botërore në pajtim me agjencitë e ligjit, por duket se prej vitit 2011 revista ka lënë mënjanë krijimin e listave të njerëzve me namin më të zi. Në krye të asaj liste atëherë ishte bosi meksikan i drogës, Joaquin Guzman apo “El Chapo”, si njihet më shumë. Ai do të arrestohej tre vjet më vonë, do të arratisej dhe do të kapej përsëri më 2006.
Një tjetër njeri që është hequr nga lista është banditi i njohur amerikan me prejardhje irlandeze, James “Whitey” Bulger. Ai ishte kapur më në fund më 2011 pasi fqinji i tij e kishte parë se ishte në listën e njerëzve më të kërkuar përderisa raporti po emetohej në televizion. Menjëherë do ta njoftonte policinë dhe do të fitonte shpërblimin prej dy milionë dollarësh amerikane. Bulger u rrah vjet për vdekje në burg.
Pjesa tjetër e listës së hartuar nga “Forbes” është ende në arrati, përfshirë edhe zotin ugandas të luftës, Joseph Kony, milicia e të cilit shoi aktivitetin më 2017, dhe autoritetet kanë hequr dorë prej kërkimit të tij.
Lista më e famshme e kriminelëve më të kërkuar është ajo e dhjetë personave më të kërkuar të FBI-së, e cila ka shtatëdhjetë vjet që hartohet. Byroja pretendon se 73 për qind e të listuarve tashmë janë kapur. Së fundmi ka shtuar të dyshuarit më të moshuar, Eugene Palmer, 83 vjeç, i akuzuar për vrasjen e resë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)