Macron e quan NATO-n “klinikisht të vdekur”, e konteston përkushtimin e SHBA-së

Merkeli i dënon “fjalët drastike” të Macronit ndaj NATO-s

07 November 2019 17:47
18:11

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të enjten se NATO-ja është larg të qenit në pozitën që të ketë nevojë për t’u mbajtur në jetë, teksa shtoi se kjo aleancë është gurthemeli i sigurisë së Gjermanisë.

Me këto fjalë, shefja e qeverisë gjermane e kontestoi qëndrimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili tha se NATO-ja ndodhet në grahmat e “vdekjes klinike”, ka raportuar “Deutsche Welle”, transmeton Koha.net.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Merkeli i përshkroi deklarimet e Macronit si “fjalë drastike”, me të cilat ajo nuk pajtohet ndërsa e ripotencoi angazhimin e Gjermanisë përbrenda Aleancës.

“Sulmet e tilla të vrullshme janë të panevojshme”, tha ajo.

17:47

Macron e quan NATO-n “klinikisht të vdekur”, e konteston përkushtimin e SHBA-së

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të enjten se NATO-ja ndodhet në grahmat e “vdekjes klinike” teksa i paralajmëroi vendet e Evropës se tanimë nuk mund të mbështeten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aspektin e mbrojtjes.

Lideri francez, duke folur për të përjavshmen britanike “The Economist”, e përmendi faktin se SHBA-ja nuk është konsultuar me NATO-n para se t’i tërhiqte trupat nga veriu i Sirisë dhe ngriti dilemën nëse Aleanca ushtarake Veriatlantike është përnjëmend e përkushtuar për mbrojtjen kolektive, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

“Aktualisht jemi dëshmitarë të vdekjes klinike të NATO-s”, citohet të ketë thënë Macroni për “The Economist”. I pyetur nëse beson në kriteret e Nenit Pesë për “mbrojtje kolektive” të traktatit themeltar të NATO-s – nën të cilin sulmi ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve – Macroni u përgjigj shkurt: “Nuk e di”.

“(NATO-ja) funksionon vetëm nëse garantuesi i opsionit të fundit funksionon si i tillë. Do të argumentoja se duhet ta rivlerësojmë realitetin se çfarë është NATO-ja pa përkushtimin e SHBA-së”, ka shtuar Macron.

Image

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme