Botë

Lirohen nga burgu gazetarët e akuzuar për ndihmë të Gulenit

Gazetarët Ahmed Altan dhe Nazli Ilicak, janë liruar nga burgu pasi gjykata turke në rigjykim, urdhëroi lirimin e tyre për shkak të kohës së kaluar në burg.

Dy gazetarët u dënuan për ndihmën që dyshohej se ia dhanë klerikut Fetullah Gulan, të cilin Ankaraja e akuzon si dirigjent të grusht-shtetit në vitin 2016, transmeton KTV. E dy gazetarët gjatë tërë seancave gjyqësore, mohuan akuzat që ua bënë autoritetet.

Rasti i tyre tërhoqi kritika të mëdha nga grupet e të drejtave të njeriut dhe shteteve perëndimore që u alarmuan me numrin e madh të arrestimeve që realizoi qeveria e presidentit Erdogan.

Deri më tani, janë arrestuar 77 mijë persona dhe po presin gjykimin për puçin e vitit 2016. Më shumë se 150 mijë punëtorë të sektorit publik dhe privat u larguan ose u suspenduan nga puna, shkaku i dyshimeve se kishin lidhje me rrjetin e Gulenit që jeton në SHBA që prej vitit 1999.