Botë

Aktivistja Thunberg nuk e pranon çmimin për mbrojtje të ambientit

Aktivistja kundër ngrohjes globale, Greta Thunberg, ka refuzuar të pranojë një çmim të ambientit, duke thënë se përmes punës së saj njerëzit në pushtet duhet të fillojnë të dëgjojnë shkencën dhe jo të shpërndajnë çmime.

Aktivistja e re klimatike që ka nxitur miliona njerëz të protestojnë kundër ngrohjes globale, është nderuar në Stokholm nga Këshilli Skandinav, transmeton KTV. Në vlerësim është përmendur puna e saj në mbrojtje të ambientit si shkas për dhënien e këtij çmimi.

Pasi u njoftua për çmimin, një përfaqësues i Thunbergut, deklaroi se ajo do të refuzojë çmimin në vlerë prej 46 mijë eurove.

E në një postim në Instagram, aktivistja tha se ndihet e nderuar për çmimin, por kritikoi shtetet skandinave që nuk përmbushën premtimet e tyre të mëdha në lidhje me ndryshimet klimatike.