Përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, po qëndron për vizitë pune në Shkup.
Zyrtari i lartë amerikan gjatë ditës takoi ministrin e Jashtëm maqedonas, ndërsa më pas ministren e Mbrojtjes dhe presidentin Stevo Pendarovski.
Palmer tregoi se do të vizitojë edhe Prishtinën, Beogradin e Athinën gjatë kësaj vizite në rajon, raporton Alsat.
“Po vij në vendin tuaj pas miratimit të protokollit nga senati amerikan për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Është kohë e shkëlqyer për vizitë posaçërisht pas vizitës së sekretarit Pompeo. Dua të përcjell mesazhin tim se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i fortë i Maqedonisë së Veriut dhe mbështesin rrugëtimin e saj drejtë BE-së. Ky është rajon që i përket Evropës dhe BE-ja nuk mund të jetë e suksesshme dhe e qetë nëse rajoni mbetet i vonuar”, tha Palmer.