Botë

Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik rrëzon planin e Johnson për Brexit

Parlamenti britanik votoi kundër planit kohor të kryeministrit Boris Johnson për Brexitin. Vendimi konsiderohet si goditje e rëndë për qëllimin e Johnsonit për daljen nga BE-ja më 31 tetor.

Pas një dështimi të rëndë në votimin e parlmentit britanik kryeministri Boris Johnson e pezulloi legjislacionin e tij për marrëveshjen e Brexit-it. Ai do të negociojë me BE-në për një shtyrje tjetër të afatit. Por njëkohësisht ai duhet të avancojë edhe përpgatitjet për një dalje pa marrëveshje nga BE-ja, tha Johnson të martën (22.10) në mbrëmje në parlament.

Kryeministri njëkohësisht u shpreh i zhgënjyer, që dhoma e ulët e parlamentit sërish kërkoi shtyrjen. „Ne po përballemi me pasiguri edhe më të mëdha tani", tha Johnson. "BE duhet të vendosë tani, se si do të reagojë ndaj kërkesës së parlamentit për një shtyrje të re. Qeveria duhet të ndjekë drejtimin më të përgjegjshëm dhe të përshpejtojë përgattjet për një rezultat No-Deal." Deputetët më parë në votim e rrëzuan planin e ngjeshur kohor të Johnson-it për Brexit-in. Gjithsej ishin 322 deputetë kundër Johnsonit, dhe 308 pro planit të tij.

Johnson pati kërcënuar, se shtegu për një Brexit No-Deal hapet, nëse plani i tij dështon dhe dalja më 31 tetor është e pamundur. Pushteti për ecurinë e mëtejshme duhet të jetë në Britaninë e Madhe dhe jo në Bruksel.

Përmbajtja e marrëveshjes me BE-në prej 110 faqesh për Brexit-in iu bë e ditur deputetëve të hënën (21.10) në mbrëmje. Shumë parlamentarë kërkuan më shumë kohë për t'u njohur me dokumentin. Ka nevojë për diskutime lidhur me qendrimin mbi të drejtat e punëmarrësve, normave për mjedisin dhe në radhë të parë mbi ҁështjen e unionit doganor që lidhet me problemin e Irlandës së Veriut.

Dokumenti i Johnson-it parashikon, që Britania e Madhe të dalë në fakt si e tërë nga unioni doganor me BE-në. Por de facto Irlanda e Veriut në një pjesë të madhe do të mbetet e lidhur me rregullat e tregtisë të BE-së. Në parim marrëveshja e zhvendos kufirin në jug të ishullit irlandez. Kjo has në rezistencën e partisë protestante irlandezo-veriore, DUP/DW.