Botë

Liberalët e Trudeaus fitojnë zgjedhjet, por humbin shumicën

Liberalët e kryeministrit kanadez, Justin Trudeau kanë fituar sërish pushtetin, ndonëse kanë humbur shumicën që do t’iu duhej për ta formuar të vetëm qeverinë.

Procesi i votimit ka treguar ndasi të thella në këtë shtet, pasi konservatorët e mposhtur kanë fituar votën popullore dhe Blloku Quebecois ka fituar disa zona në provincën Kuebek.

Liberalët kanë fituar 156 nga 228 ulëse në Parlament, bazuar në të dhënat e Komisionit, Zgjedhjet në Kanada.

Ky rezultat tregon se liberalëve u mungojnë ulëset, apo 170 sa duhet për të krijuar shumicën e thjeshtë.

“Ju keni arritur këtë, miqtë e mi. Urime”, u ka thënë Trudeau mbështetësve të tij në Montreal.

Trudeau, që ka fituar pozitën në pushtet më 2015, njihet si figurë karizmatike, ndonëse është përballur me rënie të popullaritetit për shkak të disa fotografive të vjetra, në të cilat shihet se ka lyer fytyrën me ngjyrë të zezë.

Tani ai do të varet nga Partia e Re Demokratike, ashtu që të formojë qeverinë.

Ndonëse kjo parti ka përjetuar një rezultat zhgënjyes me 24 ulëse të fituara nga 44 sa kishte më 2015, ajo tani mund të ketë ndikim të madh në qeverinë e ardhshme të Trudeuas.

Lideri i kësaj partie, Jagmeet Singh ka thënë se ka biseduar me Trudeaun dhe i ka thënë atij se partia që udhëheq “do të punojë shumë për të përmbushur prioritetet që kanë kanadezët”.

Qeveritë e pakicës zakonisht zgjasin dy apo dy vjet e gjysmë në Kanada.

Para shpalljes së rezultatit, sondazhet kanë treguar një garë të ashpër në mes të Trudeuas dhe rivalit të tij politik, liderit konservator, Andrew Scheer.

“Kësaj herë i kemi tërhequr vërejtjen atij (Trudeaus). Udhëheqësia e tij është dëmtuar dhe qeverisja e tij do të përfundojë shppejt. Kur të vijë ajo kohë ne do të jemi gati dhe do të fitojmë”, ka thënë Scheer.

“Ne jemi qeveria në pritje”, ka shtuar 40-vjeçari, Scheer, partia e të cilit ka fituar 122 ulëse.

Trudeau, 47-vjeçar, që ka çuar përpara politikën e diversitetit si kryeministër, është cilësuar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama si një prej liderëve të fundit progresivë në demokracitë e mëdha në botë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili me raste ka pasur marrëdhënie të paqëndrueshme me kryeministrin kanadez, e ka uruar atë për “fitoren e vështirë por të mrekullueshme”, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ndërkohë Bllokut Quebecois i është rritur përkrahja në Kuebek, vendin e vetëm në të cilin ka garuar kjo parti separatiste.

Pjesëtarët e kësaj partie kanë arritur të fitojnë 32 ulëse, më shumë se tre herë në krahasim me shifrat që ka pasur më 2015.

“Banorë të dashur të Kuebekut, unë dëgjova mesazhin tuaj. Për kanadezët në Alberta dhe Saskatçevan, ju duhet ta dini se jeni pjesë e rëndësishme e shtetit tonë fantastik. Kam dëgjuar zemërimin tuaj dhe dua të jem aty që t’ju mbështes. Le të punojmë të gjithë bashkë për ta bërë shtetin tonë të bashkuar”, ka thënë ai, duke iu drejtuar dy provincave në të cilat liberalët kanë humbur ulëset.

Të Gjelbërit, që kanë akuzuar Trudeaun se nuk ka bërë asgjë për luftim të ndryshimeve klimatike, po ashtu ka shënuar rritje të hënën.

Pse ka rënë popullariteti i Trudeaus?

Trudeau ka fituar fillimisht pozitën e kryeministrit, duke premtuar “ndryshim të vërtetë”.

Mirëpo pas katër vjetëve në pushtet, ai është përballur me kritika rreth aftësisë për t’i përmbushur zotimet e tij.

Ai shembull ka humbur përkrahje pas mbështetjes që i ka dhënë ai një projekti për zgjerim të tubacioneve të naftës.

Po ashtu zotimi i tij për të kryer reforma zgjedhore është braktisur shpejt, çka ka zemëruar disa votues të krahut të majtë, të cilët kanë kërkuar një sistem tjetër të votimit.

Megjithatë, bazuar në disa hulumtime të pavarura nga dhjetëra akademikë kanadezë, Trudeau ka përmbushur plotësisht apo pjesërisht 92 për qind të zotimeve, apo më së shumti që ka realizuar ndonjë qeveri kanadeze në 35 vjet.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e së hënës ka qenë 65 për qind. /REL