Nxënësit indianë bartin kuti kartoni në koka për të mos kopjuar në provime

Nxënësit indianë bartin kuti kartoni në koka për të mos kopjuar në provime

21 October 2019 18:10

Një shkollë në Indi ka kërkuar falje të hënën, pasi fotografitë e nxënësve me kuti kartoni të vendosura në koka për ta pamundësuar kopjimin gjatë provimeve kanë vërshuar rrjetet sociale, duke gjeneruar një mal kritikash.

Kolegji parauniversitar Bhagat në Haveri të shtetit jugperëndimor indian Karnataka, e zbatoi këtë masë testuese të mërkurën e shkuar, ka bërë të ditur shefi menaxhues i shkollës M. B. Sateesh. Mirëpo u përball me kundërpërgjigje të furishme, pasi që një pjesëtar i stafit i postoi në Facebook fotografitë e nxënësve, të cilët shiheshin të ulur rresht në banka, me kokat e mbuluara me kuti kartoni, derisa i plotësojnë pyetjet e shtruara në provim, ka raportuar “CNN”, transmeton “Koha Ditore”. E kritikave shumë shpejt iu bashkuan edhe vetë zyrtarët e Qeverisë.

“Askush nuk ka të drejtë ta trajtojë dikë, aq më pak një nxënës, sikur të ishte kafshë”, ka shkruar Suresh Kumar, ministër indian i Arsimit, duke e cilësuar masën si të “papranueshme”. Shkolla, nga ana e saj, ka bërë të ditur t’i ketë informuar autoritetet për masën teksa ka shtuar se për këtë gjë ka njoftuar edhe prindërit, duke shtuar se provës i janë nënshtruar vetëm ata nxënës, prindërit e të cilëve e miratuan pjesëmarrjen.

“Prej 72 nxënësve që duhej t’i nënshtroheshin provimit atë ditë, vetëm 56 kanë marrë pjesë në eksperimentin me kuti”, ka thënë menaxheri i shkollës, Sateesh. “Ata thanë se nuk e kanë problem ta provojnë. Shkolla nuk ka keqtrajtuar asnjë nxënës, ishte një masë opsionale dhe disa nxënës kanë pranuar të eksperimentohen e disa jo”, ka shtuar ai.

Masa është testuar pasi që shkolla është përballur gjatë vitit të shkuar me raste të shumta të mashtrimeve në provime. Mirëpo telashet e tilla nuk janë dukuri e rrallë për Indinë. Rasti më evident ishte ai i vitit 2015, kur prindër dhe të afërm të shumtë të nxënësve të një shkolle në Bihar ishin fotografuar tek ngjiteshin në dritaret e kateve të larta të ndërtesës së shkollës për t’i ndihmuar nxënësit që të mashtrojnë në teste.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme