Botë

AP: Rusia e Serbia zotohen të forcojnë lidhjet, megjithë përpjekjen e Beogradit për t’iu bashkuar BE-së

Foto: Reuters

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, të shtunën është zotuar për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet me aleatin e saj ballkanik, Serbinë, presidenti i së cilës i përshkroi marrëdhëniet me Moskën si më të mirat në dekada edhe përkundër përpjekjeve të vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Serbia mbetet aleati kryesor rus në Evropë. Beogradi ka refuzuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës dhe planifikon të nënshkruajë këtë javë një marrëveshje për tregti të lirë me bllokun ekonomik të udhëhequr nga Rusia, raporton AP.

Gjatë vizitës së tij, Medvedevi mori pjesë në një shfaqje ushtarake për të shënuar 75 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit serb nga okupimi nazist nga trupat e udhëhequra nga komunistët sovjetikë dhe jugosllavë. Ai iu adresua ligjvënësve serbë dhe parashikoi nënshkrimin e disa marrëveshjeve për të forcuar lidhjet ekonomike dhe të tjera, transmeton Koha.net.

“Jemi shumë të kënaqur që po e kalojmë këtë ditë këtu, mes miqsh”, u tha Medvedevi gazetarëve. “Nuk ka shumë vende për të cilat ne në Rusi mund t’iu themi miq... është detyrë jona për t’i ndërtuar edhe më tej marrëdhëniet tona në mënyrë miqësore por pragmatike”.

Rusia ka ndihmuar Serbinë të forcojë ushtrinë e saj, që ka nxitur brenda në Perëndim rreth tensioneve në rajonin e Ballkanit që mbetet fragjil pas luftërave të viteve të ’90-ta.

“Mendoj... mund të them se marrëdhëniet tona janë në nivelin më të lartë në disa dekada të fundit”, tha para gazetarëve presidenti serb Vuçiq. “Jemi veçanërisht të interesuar të vazhdojmë bashkëpunimin tonë”.

Në fjalimin e tij para ligjvënësve, Medvedevi falënderoi Serbinë që refuzoi t’u bashkohej sanksioneve të Perëndimit dhe shtoi se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Beogradin në çështjen e Kosovës.

“Rusia mbështet popullin e Serbisë dhe është e gatshme të ofrojë asistencë për t’ju ndihmuar të ruani sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka thënë Medvedevi.