“Krimi nuk ka gjini”, fushatë e Europolit për të kapur “gratë më të kërkuara në Evropë” Foto: SIPA USA/PA Images

“Krimi nuk ka gjini”, fushatë e Europolit për të kapur “gratë më të kërkuara në Evropë”

19 October 2019 20:19

Agjencia evropiane e policisë ka nisur një fushatë për të kapur kriminelet më të kërkuara në kontinent.

Ueb-faqja e re e Europol-it, e quajtur “Crime Has No Gender” (Krimi nuk ka gjini), zbulon fytyrat e të arratisurve të kërkuar nga 21 shtete të BE-së në një mënyrë interaktive. Tetëmbëdhjetë nga ta janë gra.

“Njerëzit mendojnë se këto krime zakonisht nuk kryhen nga gratë, por po, dhe janë po aq serioze sa krimet e kryera nga burrat”, thotë Tine Hollevoet, zëdhënëse në Europol, raporton "The Guardian".

Të arratisurit e kërkuar përballen me një varg akuzash, përfshirë vrasje dhe trafikim me njerëz e me drogë, transmeton Koha.net.

Fushata interaktive fillimisht i shfaq të dyshuarit prapa maskave, para se t’u zbulohen fytyrat ngadalë teksa lexuesit lexojnë storiet prapa krimeve të tyre.

“Sa herë që lexuesi shkon poshtë duke e lexuar faqen, fytyra e të arratisurit të kërkuar zbulohet dhe do të jenë në gjendje të shohin se a është burrë apo grua”, ka thënë Hollevoet.

“Ideja është që të tërheqim sa më shumë vizitorë që të jetë e mundur, ndërsa përvoja na ka treguar se sa më shumë njerëz që i shohin të arratisurit e kërkuar, shanset janë po aq më të mëdha për të gjetur dhe arrestuar personin e kërkuar”.

Franca po e kërkon Jessica Edosomwan, shtetase nigeriane e cila u arratis teksa policia bastisi një rrjet prostitucioni në rajonin e Lionit në fund të vitit 2007 dhe arrestoi 26 persona.

Rrjeti zbuloi 60 prostituta të cilat u tërhoqën në Francë me premtimin për një të ardhme më të mirë dhe u trafikuan atje përmes Libisë.

Posa shkonin në Francë, gratë e shkreta u nënshtroheshin Voodoo ritualeve “juju” dhe familjet e tyre kërcënoheshin, ka thënë policia franceze.

E dyshuara Edosomwan besohet të jetë ose në shtetet e Beneluksit, ose në Itali apo Gjermani, ka thënë policia.

Një e dyshuar tjetër është shtetasja hungareze Ildikó Dudás, 31 vjeçe, e cila kërkohet për trafikim me drogë dhe për abuzim me fëmijë.

“Shumës shpesh fëmijët e të dyshuarës ishin sjellë në transaksione me drogë”, ka thënë Europol për Dudás.

Dudás ishte dënuar me gjashtë vjet burgim për krimet e kryera mes 2011 dhe 2012 por vendndodhja e saj është e panjohur.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme