Lëvizjes kundër ngrohjes globale “Extinction Rebellion” nuk i ka bërë përshtypje urdhri i policisë në Londër për ndalimin e protestave të tyre, pasi kanë paralajmëruar aktivitete të reja kryengritëse.
Qindra policë, pa asnjë paralajmërim, kanë hyrë në sheshin kryesor të Londrës “Trafalgar” për t’i larguar protestuesit që e shfrytëzuan këtë hapësirë si bazë të protestave të tyre.
Aksioni i policisë ka ngjallur reagimin e aktivistëve që prej Londrës kanë zgjeruar protestat e tyre nëpër qytetet kryesore të botës.
Cak i protestave të 15 tetorit ishte Ministria e Transportit në qendër të Londrës. Shkas i këtyre protestave u bë një projekt i propozuar për një hekurudhë të trenave të shpejtë.
Gjatë kësaj proteste u arrestua bashkëthemeluesja e lëvizjes “Extinction Rebellion”, Gail Bradbrook. Ajo u arrestua pasi hipi mbi derën e hyrjes së ministrisë dhe tentoi të thyente xhamin me një çekan.
“Nuk dua të shkatërroj gjëra, dua që t’i riparoj ato”, ka thënë Bradbrook, transmeton KTV.
Mirëpo, ajo nuk ishte e vetmja që bllokoi hyrjet e institucioneve nëpër Londër.
Të hënën, një grup bllokoi hyrjen e bankës “Barclays” dhe përdori edhe ngjitës për t’ia pamundësuar policëve arrestimin e tyre.
Protesta pati edhe para transmetuesit publik BBC, me arsyetimin se mediat po e heshtin thirrjet e tyre.
Lëvizja përdor mosbindjen për të vënë në pah rrezikun që po i kanoset planetit Tokë nga ndryshimet klimatike.
Protestat nisën në tetorin e vitit 2018 dhe që prej asaj kohe janë arrestuar 1 mijë e 500 aktivistë vetëm në Londër.
E më shumë se 1 mijë e 500 të tjerë janë arrestuar në protestat e mbajtura në Bruksel, Amsterdam, Sidney dhe New York.