Botë

Çavusoglu thotë se askush s’ka të drejtë t’ia mohojë ndërhyrjen Turqisë në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka folur lidhur me operacionin e quajtur “Burimi i Paqes” në Siri.

Kryediplomati turk tha se problemi i Turqisë janë terroristët dhe askush nuk duhet ta kundërshtojë këtë operacion, duke u fshehur pas çështjeve të tjera, transmeton KTV. Çavusoglu reagoi ndaj kritikave të disa shteteve se operacioni ushtarak turk do të ngecë dhe se do të krijojë kriza humanitare.

Çavuşoğlu tha se vendi i tij është më i ndjeshëm në lidhje me civilët, duke treguar se këtë ia kanë dëshmuar gjithë botës nëpërmjet operacioneve “Dega e Ullirit” dhe “Mburoja e Eufratit”.

Së fundmi, anëtarë të Partisë Republikane kanë dalë kundër presidentit Donald Trump, për sulmin e Turqisë ndaj kurdëve në Siri, derisa vetë ai ka dhënë arsye përse e lejoi këtë, duke thënë se kurdët nuk i ndihmuan SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Turqia nisi sulmin ushtarak ndaj kurdëve, pasi SHBA-ja tërhoqi trupat e saj në pjesën verilindore të Sirisë.