Rritet përkrahja amerikane për shkarkimin e presidentit

10 October 2019 19:32

Më shumë se gjysma e votuesve amerikanë dëshirojnë që presidenti Donald Trump të hetohet dhe shkarkohet nga detyra.

Në bazë të një sondazhi që ka kryer televizioni “Fox News”, e që është i katërti brenda dy ditësh, tregon se mendimi i amerikanëve po ndryshon për Trumpin që fitoi besimin e tyre kur u bë president në vitin 2016.

Një hetim zyrtar i nisur nga Kongresi, në fund të muajit shtator, do të përqendrohet në telefonatën e Trumpit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Këtë telefonatë e zbuloi një informator.

Transkripti i telefonatës që u publikua nga Shtëpia e Bardhë tregonte se Trumpi vazhdimisht i kishte bërë presion Zelenskyt që ta hetonte ish-zëvendëspresidentin Joe Biden dhe të birin e tij, Hunterin. E deri më tani nuk ka pasur asnjë provë se Bidenët kanë bërë keqpërdorime në Ukrainë.

Sondazhi i “Fox Newsit” tregonte se 51 për qind e votuesve dëshirojnë hetimin dhe largimin e Trumpit nga Zyra e presidentit, transmeton KTV. Katër për qind dëshirojnë vetëm hetimin e presidentit, por jo edhe shkarkimin. Dyzetë për qind e të anketuarve janë kundër shkarkimit të presidentit.

Ky sondazh gjithashtu shfaq rritje për përkrahjen e shkarkimit sa i përket numrit demografik. Tani përkrahja është 11 pikë në mesin e demokratëve, pesë pikë te republikanët dhe tri pikë te të pavarurit.

Rezultatet e sondazhit vijnë në të njëjtën ditë kur presidenti pohoi se vetëm 25 për qind e votuesve dëshirojnë shkarkimin e tij.

Trumpi nuk saktësoi se cilit sondazh i referohej, por ato më të besueshmet, përfshirë edhe këtë të “Fox Newsit”, e thonë të kundërtën.

Si përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur rritjes së shpejtë të thirrjeve për shkarkim, Shtëpia e Bardhë i njoftoi kongresistët demokratë se nuk do të bashkëpunonte për ta çuar përpara procesin e largimit të Trumpit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme