Botë

Fermerët shkaktojnë tollovi me traktorë nëpër rrugët e Holandës

Që nga orët e para të mëngjesit, mijëra fermerë kanë shkaktuar ngarkesën të madhe në trafikun e Holandës, me protestën e tyre të organizuar me traktorë.

Në mëngjesin e së martës, kolonat kanë qenë të gjata deri në 1 mijë kilometra nëpër gjithë shtetin “tulipan”.

Fermerët organizuan protestën me traktorë, shkaku i raportimeve se janë përgjegjës për emetimin e nitrogjenit.

Një raport i institucioneve holandeze ka bërë thirrje për largimin e mijëra traktorëve, për shkak të ndotjes së madhe që po ia shkaktojnë ajrit nëpër Holandë.

Fermerët, që stacion të fundit e kishin qytetin e Hagës, kanë deklaruar se po viktimizohen, derisa industria e aviacionit nuk po përmendet si një faktor kyç për këtë ndotje, transmeton KTV.

Është llogaritur se në protestë kanë marrë pjesë 15 mijë fermerë me traktorët e tyre, ndërsa në pikëtakim ishin 500 traktorë që kishin ardhur para kohe.

Mediat holandeze kanë raportuar për arrestimin e tre fermerëve që nuk i respektuan urdhrat e policisë rrugore teksa shkonin drejt Hagës.

Gjykata e Lartë, në muajin maj, njoftoi se rregullat holandeze për ndërtim dhe ferma shkelnin ligjin e BE-së për mbrojtje të natyrës nga emetimi i nitrogjenit.

Ky vendim bllokoi qindra projekte, përfshirë ndërtimin e rrugëve të reja dhe disa projekte të tjera për aviacionin.

Partia liberale bëri thirrje për ndaljen e prodhimit në ferma, që i bie 6 milionë derra dhe 50 milionë pula më pak sesa viteve të kaluara.

Kjo parti fajësoi mjetet e tanishme të fermave për emetimin e nitrogjenit dhe bëri thirrje për modernizim të agrikulturës.

Fermerët besojnë se masat ndaj dioksidit të karbonit dhe nitrogjenit janë të pasakta dhe se debati është nxitur nga protestuesit kundër ndryshimeve klimatike.

Qytetet më të ndotura mbeten Amsterdami dhe Rotterdami, teksa qeveria ka qëllim që ta reduktoj deri në 25 për qind emetimin e gazrave.

Niveli i ndotjes nga metani dhe oksidi i azotit ka rënë ndjeshëm, por niveli i dioksidit të karbonit ka mbetur i njëjtë gjatë këtij viti.