Ish-lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, është kandidat i mundshëm për Çmimin Nobel për Paqe këtë vit. Puigdemont jeton në azil të vetimponuar në Belgjikë dhe kërkohet në Spanjë për rolin e tij në lëvizjen e pavarësisë së Katalonjës.
Ai luajti rol të dobishëm në organizimin e një referendumi të konsideruar të paligjshëm nga Spanja në vitin 2017. Puigdemont, 56 vjeç, dhe pesë liderë tjerë katalonas, do të arrestohen nëse kthehen në Spanjë, ku përballen me akuzat për rebelim, transmeton KTV raportimin e Reutersit.
Në korrik të 2018-s, gjykatat spanjolle hoqën fletarrestimet evropiane për Puigdemontin, pasi një gjykatë gjermane vendosi që mund të ekstradohet në Spanjë për t'u përballur me një akuzë të veçantë për keqpërdorim të fondeve publike, por jo për akuzën e rebelimit, diçka që Spanja vendosi të mos e pranojë.
Edhe aktivistja për mjedis, Greta Thunberg, është pretendente e mundshme për Çmimin Nobel për Paqe, për vitin 2019. Adoleshentja suedeze po i prin një fushate kundër ndryshimeve klimatike.
Thunberg tërhoqi vëmendjen për herë të parë në gusht të vitit 2018, kur mungoi në shkollë për të protestuar para Parlamentit suedez çdo të premte.
Ndërsa aktivistja somaleze për të drejtat e njeriut dhe paqe, Ilwan Elman, është përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Nobel për Paqe.
Ajo është themeluese e Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut “Elman” në Somali, qendër kjo e cila merret me djemtë dhe vajzat e reja të cilët janë radikalizuar pas bashkimit me grupet e armatosura, me qëllim të shpëtimit dhe rehabilitimit të tyre.
Përndryshe, emërtimet janë të hapura për ligjvënës, akademikë dhe studiues nga e gjithë bota. Komiteti në Oslo zakonisht merr qindra nominime derisa Çmimi Nobel për Paqe jepet më 10 dhjetor.