Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka folur për arritjen e konsensusit që të miratohet Ligji për punën e Prokurorisë dhe me këtë t'i hapë rrugë Këshillit Evropian që në tetor të sjellë vendim pozitiv për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Xhaferi shprehet se ai u ka dhënë kohën e duhur të gjithë faktorëve që të mund të reflektojnë kundrejt asaj se çka është interes i qytetarëve, interes i shtetit, duke i vënë interesat e së ardhmes së shtetit mbi interesat partiake.
Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, njëherësh thekson se çfarëdo që të jetë vendimi i Këshillit Evropian për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut, një situatë të tillë dhe në këto momente kyçe me interes për qytetarët dhe vendin, si zgjidhje nuk i sheh zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Radio Evropa e Lirë: Zotri Xhaferi, hulumtimet të cilat i ka realizuar Instituti për Demokraci, ka nxjerrë në pah se më shumë se 60 për qind e të anketuarve janë shprehur se qeveria është ajo që ka kontroll të plotë mbi punën e Parlamentit, ndërkohë që më shumë se 70 për qind e të anketuarve besojnë se deputetët më shumë mbrojnë interesat e partisë sesa interesat e qytetarëve. Si i komentoni ju këto të dhëna?
Talat Xhaferi: Deputetët në Parlament janë të zgjedhur përmes listave partiake, dhe mbështetjen nga qytetarët nuk e kanë marrë drejtëpërdrejtë kushtimisht thënë deputetët, por e kanë marrë subjektet politike. Normal se në atë përzgjedhje ka kontribuar dhe përzgjedhja e personave në listat e partive politike, që në esencë mbështetje kanë fituar subjektet politike dhe përfaqësimi është përmes subjekteve politike.
Unë e çmoj çdo vendim dhe vlerësoj edhe atë perceptim të qytetarëve, por edhe mendoj se ne bëjmë punë që të ndryshojmë atë perceptim dhe realisht dallon kjo përbërje parlamentare në kuptimin e pozicionimit të statusit të ndërnacional në kuptimin e ndarjes së pushtetit në kontekst pozitiv, pa marrë parasysh perceptimet që janë për momentin. Unë i vlerësoj dhe kundrejt atyre përpiqem të menaxhoj me institucionin që atë perceptim të qytetarëve ta përcjellë deri tek deputetët. Nëse i shihni seancat parlamentare, gjatë udhëheqjes sime gjithmonë potencoj se puna e deputetit duhet të reflektojë kundrejt perceptimit të qytetarëve dhe ajo të përmirësohet.
Kundrejt relacionit Parlament – Qeveri unë e kuptoj se për 20 vite të plota ka pasur perceptim se gjithçka është qeveria dhe askush tjetër dhe është vështirë për të ndryshuar këtë, por edhe në këtë drejtim mendoj se kjo përbërje parlamentare dhe udhëheqja ime, menaxhimi im me Parlamentin ka ndryshuar konceptin e raportit Parlament – Qeveri në kontekst të kushtimisht thënë ushtrimit të pushtetit ekzekutiv kundrejt pushtetit legjislativ dhe nëse i referoheni punës së Parlamentit dhe punës së komisioneve përkatëse se sa shqyrtime publike, sa debate publike janë ndërmarrë brenda komisioneve ku kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët edhe të qeverisë dhe anasjelltas.
Në kontekstin e seancave ku kemi pyetjet e deputetëve, prezenca e ministrave, e qeverisë, relacioni për t'u përgjigjur në kohë mendoj që ai perceptim është ndryshe nga kjo që është krijuar, unë e çmoj atë megjithatë përsëri them se me gjithë këtë punë që bën Parlamenti, për këto tre vite sa jam duke drejtuar parlamentin, nuk mund të përmbysim perceptimin negativ që është zhvilluar gati se tre dekada të politikbërjes në Maqedoninë e Veriut.