Uragani Dorian shndërrohet në stuhinë më të fortë të të gjithë kohërave

Uragani Dorian shndërrohet në stuhinë më të fortë të të gjithë kohërave

02 September 2019 10:19

Ndërsa prej orësh po godet dhe shkatërron Bahamas me erëra që arrijnë shpejtësinë 225 km/orë, më shumë se 1.5 milion banorë janë evakuuar.

Erërat e tërbuara të uraganit kanë shkatërruar shumë shtëpi, kanë përmbysur mjaft makina dhe kanë rrëzuar kilometra linja të energjisë elektrike, transmeton Shqiptarja raportimin e mediave amerikane.

Në veri të arkipelagut, zyrtarët lokalë kanë ofruar varka për të transferuar njerëzit në stere.

Në shumë shtete, si në Xhorxhia dhe Karolina e Jugut, qindra mijëra njerëz janë duke u evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Ekspertët thonë se stuhia, pavarësisht se do të ndërrojë drejtim, është ende 'jashtëzakonisht e rrezikshme' dhe madje në vazhdim mund të shoqërohet edhe me shira të rrëmbyeshëm.

Mediat lokale në Bahamas raportojnë se një djalë shtatë vjeçar është mbytur dhe motra e tij është zhdukur, pasi Uragani goditi Abaco dhe Grand Bahama Island.

Uragani Dorian u intensifikua në një stuhi të Kategorisë 5 ditën e diel në mëngjes me erëra me shpejtësi rekord, 200km/orë.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili anuloj një vizitë zyrtare në Poloni, po mban kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet lokale dhe po ndjek zhvillimet nga Camp David. Ai i ka paralajmëruar banorët të jenë të vetëdijshëm pasi Dorian ‘mund të jetë shkatërrues’.

Pritet që uragani Dorian të drejtohet për në Florida, ku prej disa ditësh kanë nisur evakuimet.

Në pritje në zemërimit të stuhive, banorët janë furnizuar me ushqime dhe ujë, të cilat po bëhen gjithnjë e më të pakta.

Shumë stacione karburanti janë mbyllur.

Kompanitë e energjisë elektrike kanë dërguar në terren përforcime për t’i bërë ball ndërprerjeve të mundshme.

Aeroporti ndërkombëtar i Orlando ka ndërprerë të gjitha fluturimet.

Mjaftë universitete kanë pezulluar mësimin dhe do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri të martën.

Edhe dy termocentralet bërthamore po përgatiten të mbyllen nëse konfirmohet se stuhia do ti kercënojë.

Nga ana e autoriteteve lokale, mendohet se dëmet e mundshme të shkaktuara mund të vlerësohen nga 18 deri 20 miliardë dollarë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme