Botë

Varshava dhe Uashingtoni pajtohen për pozicionimet e trupave të reja amerikane

Varshava dhe Uashingtoni janë pajtuar për gjashtë lokacione të reja për pozicionim të trupave amerikane në Poloni, ka thënë ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka anuluar një vizitë në kombin në lindje të Evropës.

Trump ka anuluar udhëtimin e tij në fundjavë për shkak të një stuhie që po arrin në Florida, andaj nën-presidenti i SHBA-së, Mike Pence, pritet të marrë pjesë në ngjarjet e planifikuara në Poloni, për të shënuar 80-vjetorin e nisjes së Luftës së Dytë Botërore, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Ne jemi pajtuar për gjashtë lokacione dhe kemi diskutuar për të shtatin”, ka thënë Blaszczak në një konferencë për media, bashkë me Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili ka shkuar në Poloni për këtë përvjetor.

Në muajin qershor, Polonia ka nënshkruar një marrëveshje për rritje të prezencës ushtarake amerikane në tokën e saj, për të luftuar kërcënimin në rritje nga Rusia, prej kur kjo e fundit ka aneksuar Krimenë nga Ukraina më 2014.

Polonia kufizohet në verilindje me enklavën ruse, Kaliningrad, ku gjenden disa prej raketave më të avancuara në Moskës.

Marrëveshja ushtarake e nënshkruar në muajin qershor, do të rrisë numrin e trupave të përkohshme amerikane në Poloni për 1,000 më shumë.

Aktualisht në këtë shtet janë rreth 4,500 trupa amerikane në kuadër të forcave të NATO-s.

“Polonia ka qenë një partner i jashtëzakonshëm i SHBA-së dhe NATO-s, duke shpenzuar më shumë se 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje”, ka thënë Bolton në konferencë.

Ai ka thënë se vizita e Trumpit do të riplanifikohet sa më shpejt që është e mundur/REL.