Botë

Në Indi propozohet ndalimi i cigareve elektronike

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë në Indi ka propozuar një ndalim për prodhimin dhe importin e cigareve elektronike. Kjo vjen disa ditë pasi u raportua vdekja e parë si pasojë e sëmundjes së mushkërive, të shkaktuar nga cigaret e njohura ndryshe si “Juul”.

Ministria ka propozuar që qeveria të lëshojë një urdhër ekzekutiv që ndalon pajisjet në interes të publikut, duke thënë se ishte e nevojshme për të siguruar që cigaret elektronike të mos bëhen "epidemike" mes fëmijëve dhe të rinjve.

“Cigaret elektronike dhe teknologji të ngjashme që inkurajojnë përdorimin e duhanit ose ndikojnë negativisht në shëndetin publik janë të rrezikshme për një përdorues aktiv, si dhe pasiv”, ka thënë kjo ministri, raporton Reuters.

Zyrtarët po propozojnë dënime me burg deri në tre vjet dhe gjoba deri në 7 mijë dollarë për shkelësit e përsëritur kundër rregullave të reja.