Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka premtuar një “marrëveshje shumë të madhe tregtare” me Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar se largimi i saj nga BE-ja do të jetë sikur humbja e “një spirance rreth kyçit të këmbës”, transmeton Koha.net.
Trump ka folur pas një takimi të mëngjesit me kryeministrin e Britanisë Boris Johnson, në samitin e G7-ës i cili po mbahet në Biarritz në Francë.
Por, Johnson tha se SHBA-ja duhet të bëjë kompromis nëse arrihet për një marrëveshje tregtare pas Brexitit, transmeton BBC.
Takimi i mëngjesit i Johnson erdhi përpara një dite diskutimesh të planifikuara me liderët e tjerë botërorë në samit.
Trump tha se një marrëveshje tregtare “shumë e madhe” midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar do të ndodhë “shpejt”.
Duke folur para gazetarëve pas mëngjesit, Trump tha: "Ne do të bëjmë një marrëveshje shumë të madhe tregtare, më e madhe nga sa kemi pasur ndonjëherë me Mbretërinë e Bashkuar dhe tani ata nuk do të kenë pengesë, nuk do të kenë spirancë rreth kyçit të këmbës, sepse kjo është ajo që ata kanë”.