Vdes miliarderi amerikan David Koch

Vdes miliarderi amerikan David Koch

23 August 2019 22:50

Miliarderi David Koch, një forcë shtytëse prapa konglomeratit Koch Industries, i cili së bashku me vëllain e tij të madh, Charles, u bë një financier i madh i kauzave dhe kandidatëve politikë konservatorë, ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare.

Charles Koch e njoftoi vdekjen e vëllait të tij në një deklaratë të premten. David Koch njoftohet se kishte vuajtur nga kanceri i prostatës për shumë vite.

David Koch studioi inxhinieri në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) dhe iu bashkua kompanisë Koch Industries me seli në Uiçita të Kansasit në vitin 1970. Ai u bë shef ekzekutiv i filialit Koch Chemical Technology Group.

Familja Koch njihet më së miri për ndërtimin e një rrjeti të gjerë politik me mjaft ndikim në mbështetje të kauzave konservatore. Vëllezërit Koch themeluan organizatën Amerikanët për Begatinë (Americans for Prosperity), e cila mbështet nismat për një qeveri të vogël dhe ato kundër rritjes së taksave.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Kolumbia, Alexander Hertel-Fernandez, i cili studioi vëllezërit Koch dhe influencën e tyre, i tha gazetës The Washington Post se "është e vështirë të mendosh për një grup tjetër individësh që kanë pasur një ndikim të tillë në sistemin tonë politik që nuk kanë qenë zyrtarë të zgjedhur."

Sipas gazetës The Washington Post, kompania Koch Industries u bë ndërmarrja e dytë më e madhe private në Shtetet e Bashkuara, dhe deri në vitin 2018, vëllezërit njoftohej se secili prej kishte pasuri me vlerë rreth 60 miliardë dollarë./VoA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme