Mijëra njerëz kanë marshuar të shtunën në distrktin e Hung Hom-it në fundjavën e 11-të të demonstratave, derisa policia i ka larguar ata të cilët ishin mbledhur jashtë stacionit policor.
Pas përshkallëzimit të dhunës gjatë ditëve të kaluara, demonstratat këtë fundjavë do të jenë një provë e mirë për të parë nëse lëvizja protestuese do mund ta mbajë mbështetjen e gjerë që duket se gëzon aktualisht, raporton Reuters.
Demonstruesit thonë se ata po luftojnë për mbrojtjen e marrëveshjes “një vend, dy sisteme”, e cila siguroi njëfarë autonomie për Hong Kongun që kur Kina e tërhoqi atë nga Britania më 1997, transmeton KTV.
Gjatë javës së kaluar, ata kanë shprehur gjithnjë e më shumë zhgënjimet e tyre ndaj policisë, të cilët janë përgjigjur me vendosmëri të ashpër për t'i larguar protestuesit nga rrugët.
Përballjet gjithnjë e më të dhunshme kanë zhytur një nga kryeqytetet financiare të Azisë në krizën e saj më të madhe për dekada. Trazirat paraqesin gjithashtu një nga sfidat më të mëdha për Presidentin Kinez Xi Jinping, qëkur erdhi në pushtet më 2012.
Qeveritë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar thirrjet për përmbajtje, pasi policia kineze ka vazhduar me ushtrime afër kufirit të Hong Kongut.