“Terrorizmi nacionalist i bardhë”. “Lufta e re civile e Amerikës”, “Terroristët e brendshëm dërrmojnë SHBA-në”.
Pasi që dy sulme masive e dërrmuan SHBA-në gjatë fundjavës së kaluar, ballinat prej Sydneyt e deri në Paris vlerësuan se gjakderdhja tregon që Amerika ndodhet në luftë me veten, shkruan NYT, përcjell sot Koha Ditore.
Reagimet ndërkombëtare ndaj vrasjeve të mëparshme masive fokusoheshin tek prania e armëve kudo nëpër SHBA – një kulturë të cilën shumica e njerëzve nëpër glob e konsiderojnë të huaj – si dhe rolin e tyre në bërjen e SHBA-së shtetin më të dhunshëm të zhvilluar.
Por në ditët që kur një person i armatosur vrau 22 veta dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një shitore të Walmartit në El Paso të Texasit, vëmendja është përqendruar tek përzierja toksike e racizmit, nacionalizmit dhe terrorizmit – krahas disponueshmërisë së lehtë të armëve të zjarrit – ashtu si edhe rolit të presidentit Trump në nxitjen e përçarjeve etnike. Tmerri u rëndua edhe më shumë nga sulmi, disa orë më vonë, në Dayton të Ohios, që i la nëntë të vrarë.
“Njerëzit janë mësuar me faktin se në SHBA, për çdo muaj, shumë njerëz vriten nga dikush pa asnjë arsye”, ka thënë Josef Janning, studiues i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me seli në Berlin.
Disa minuta para sulmit në El Paso, një manifest përplot me urrejtje ishte postuar online, me sa duket nga sulmuesi i armatosur, duke thënë se “ky sulm është përgjigje ndaj invazionit hispanik të Texasit” – në frymë me përshkrimin prej Trumpit, të imigrimit si invazion. Deklarata mbështeste supremacinë e bardhë, dënonte imigrimin dhe përgëzonte sulmuesin e armatosur që vrau 51 besimtarë myslimanë në mars, nëpër xhamitë në Zelandë të Re.
Ishte ai aspekt i sulmit, që pasqyron ngritjen e etno-nacionalizmit në shumë shtete, ai që tërhoqi më së shumti vëmendje nëpër botë. Gazeta “El Pais” e Spanjës e prezantoi sulmin në El Paso si “krimin më të madh racist kundër hispanikëve në historinë bashkëkohore të SHBA-së”. (Artikullin e plotë në shqip mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)