Botë

Izraeli rrënon disa shtëpi palestineze në Jerusalem, fillojnë protestat

Forcat izraelite kanë rrënuar disa ndërtesa në periferi të Jerusalemit, duke ngjallur protesta të palestinezëve dhe kritika ndërkombëtare.

Buldozerët e përcjellë nga qindra ushtarë izraelitë prishën shtëpitë në fshatin palestinez Sur Baher që ndodhet në lindje të Jerusalemit dhe është pjesë e okupuar nga izraelitët që nga vitit 1967.

Palestinezët frikësohen se rrënimi i shtëpive mund të krijojë precedent për pjesët e tjera palestineze në Jerusalem, ndryshe shtëpi e 500 mijë izraelitëve dhe 300 mijë palestinezëve. Vendimi për të rrënuar shtëpitë e palestinezëve, sipas gjykatës izraelite, erdhi pasi shtëpitë ishin pa leje ndërtimi.

“Palestinezët e dinë shumë mirë që nuk u lejohet ndërtimi afër rrethojës, ndërsa Izraeli ka plotësisht të drejtë në rrënimin e atyre ndërtesave që janë ndërtuar ilegalisht. E kemi lejen e Gjykatës Supreme dhe nuk kemi tjetër alternativë”, ka thënë Emanuel Nahshon, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Në anën tjetër, palestinezët deklaruan se lejen ndërtimore e kanë marrë te zyra e Autoritetit të Palestinës që nuk njeh ligjet e Izraelit, transmeton KTV. Banorët e lagjes Sur Baher frikësohen se rrënimi i shtëpive po bëhet me qëllim që Izraeli të pushtojë tokën e Bregut Perëndimor.

“Kabineti qeveritar dënon agresionin izraelit. Kjo është një vazhdimësi e zhvendosjes së njerëzve të Jerusalemit nga shtëpitë dhe tokat e tyre. Ky është një krim lufte dhe krim kundër njerëzimit”, është shprehur Mohammad Shtayyeh, kryeministër i Palestinës.

Izraeli vazhdoi me qëndrimin se rrënimi i ndërtesave në të cilat jetonin 17 palestinezë , është bërë me qëllim që të pamundësohet infiltrimi i sulmuesve palestinezë nga Bregu Perëndimor.

Problemi është krijuar për shkak se fshati ndodhet në pjesën që administrohet nga Autoriteti palestinez, mirëpo shtëpitë janë ndërtuar në pjesën izraelite të rrethojës.

Këtë rrethojë e shkëputën izraelitët pas mesnate dhe të hënën në mëngjes, filluan me rrënimin e shtëpive.