Botë

Vdes gazetari i NYT-it që mbuloi Luftën e Ftoftë dhe atë të Kosovës

Foto: NYT

David Binder, korrespondent shumëvjeçar për “The New York Times” që mbuloi Luftën e Ftohtë në Evropë, shpërbërjen e bllokut sovjetik dhe luftërat e tmerrshme civile në Bosnjë, Kroaci e Kosovë, ka vdekur të dielën në shtëpinë e tij në Evanston, Illinois, në moshën 88 vjeçare.

Bashkëshortja e tij, Helga, tha se shkaktari i vdekjes ishte një sëmundje veshkore.

Gazetar i palodhur dhe i pamëshirshëm, Binderi mbuloi ndërtimin e Murit të Berlinit më 1961 dhe rrënimin e tij më 1989 — shkroi disa qindra raportime për tensionet Lindje-Perëndim dhe për jetën nën regjimet komuniste në Gjermaninë Lindore, në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari dhe Jugosllavi, raporton “The New York Times”.

Në fillim të viteve të ’90-ta, pasi Gjermania u ribashkua dhe paqja u kthye në pjesën më të madhe të Evropës, Binderi u kthye në Ballkan për të mbuluar luftërat që gllabëruan ish-Jugosllavinë në masakra, përdhunime në masë dhe gjenocid, duke vrarë 100 mijë njerëz dhe duke dëbuar miliona tjerë nga shtëpitë e tyre. ai intervistoi viktima civile, luftëtarë dhe liderët e tyre, përfshirë edhe kriminelët e akuzuar serbë të luftës si Sllobodan Millosheviq dhe Gjeneralin Ratko Mlladiq, transmeton Koha.net.

Pasaporta e Binderit ishte e gjatë mbi 8 metra në bazë të faqeve të vulosura me viza nga rajonet e trazuara, dhe raportimet e tij – mbi 2,600 artikuj e komente në karrierën e tij 43 vjeçare për The Times — ofruan hollësi për diktatorët dhe politikat e tyre si dhe detaje për rutinat ditore të qytetarëve që përballeshin me mungesa të ushqimit.

Binderi mbuloi Evropën Lindore dhe Jugosllavinë nga viti 1963 deri më 1966. Ai u përqendrua në qeverinë popullore të presidentit Josip Broz Tito të Jugosllavisë.

Binderi u transferua në byronë e “The Times” në Washington si korrespodent diplomatik dhe i çështjeve evropiane më 1973. Ai shpesh u kthye në Evropë në vitet e ‘80-ta për të raportuar mbi zhvillimet në kombet e bllokut sovjetik, dhe në vitet e ’90-ta për të mbuluar ribashkimin e Gjermanisë; rënien e regjimeve komuniste në Shqipëri, Rumani dhe Bullgari; dhe luftërat civile në Bosnje, Kroaci e Kosovës.

Teksa po disintegrohej Jugosllavia më 1991, ai u bllokua me forcat kroate në rrethimin pesë-ditor me granatime e të shtëna me snajper në portin e Dubrovnikut.

Ralph Blumenthal, ish-koleg i tij në “Times”, kujtoi se Binderi kishte “dashuri të madhe për Ballkanin” duke theksuar se ai kishte absorbuar historinë dhe kulturën e rajonit për dekada me radhë dhe ishte prekur thellë nga fatkeqësitë e luftërave atje. Libri i tij i fundit, “Lamtumirë, Iliri” (2014), ishte një memoar për politikanët, poetët, artistët, peshkatarët, fermerët e miqtë e Ballkanit.

David Binder lindi në Londër më 22 shkurt, 1931, një nga katër fëmijët e prindërve amerikanë, Abner Carroll dhe Dorothy Walton Binder. Babai i tij ishte redaktor i lajmeve të jashtme dhe korrespodent për “The Chicago Daily News”. Ai diplomoi në Harvard më 1953.