Botë

OKB-ja kritikon shkeljen e marrëveshjes bërthamore nga Irani

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i shqetësuar për kalimin nga Irani të limitit të vendosur për rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, vlerësoi se ky veprim nuk do të ndihmojë në ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi sot zëdhënësi i tij.

“Antonio Guterres inkurajon Iranin që të vazhdojë të aplikojë të gjitha angazhimet e tij bërthamore të parashikuara në marrëveshjen JCPOA, ndërkohë që pjesëmarrësit e tjerë në këtë marrëveshje do të përpiqen të gjejnë mjetet për t’iu përgjigjur sfidave të konsiderueshme të me të cilat përballet Teherani”, shtoi zëdhënësi Stephane Dujarric gjatë një konference për shtyp të OKB-së.

Në rast problemesh të lidhura me aplikimin e saj, marrëveshja bërthamore e vitit 2015 parashikon në një fazë të parë krijimin e një komisioni të përbashkët që përmbledh palët që kanë nënshkruar (Iran, Rusi, Kinë, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermani).

Në rast se nuk gjendet një marrëveshje brenda këtij komisionit për të rregulluar problemin, çështja kalon më pas tek Këshilli i Sigurimit në OKB./Atsh/