Botë

Turqia brenda korrikut premton miratimin e protokollit për Maqedoninë në NATO

Kryetari i Parlamentit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mustafa Şentop, ka deklaruar se protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO do të miratohet në maksimum brenda një muaji në Asamblenë e Madhe të Turqisë.

Në kuadër të takimeve në Maqedoninë e Veriut, Şentop ka vizituar xhaminë İshak Çelebi në qytetin e Manastirit në jug të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për gazetarët Şentop ka përmendur takimet e zhvilluara në Maqedoninë e Veriut, ku pasi ka vënë në dukje se Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike dhe vëllazërore, ai tha se Turqia është vendi i parë që ka njohur Maqedoninë e Veriut kur ajo e shpalli pavarësinë e saj dhe vendi i parë që ka hapur ambasadën e saj në Shkup.

“Turqia ka qenë gjithmonë mbështetëse e Maqedonisë së Veriut si në institucionet ndërkombëtare ashtu edhe në ato evropiane dhe euroatlantike”, tha Şentop duke shtuar se “sipas mendimit tonë edhe pse në një mënyrë të padrejtë, ka pasur një problem përpara Maqedonisë lidhur me emrin”.

“Në kontekstin e kundërshtimeve të Greqisë edhe kjo është tejkaluar. Në këtë mënyrë Maqedoninë do ta shohim së shpejti si në institucionet evropiane ashtu edhe në ato atlantike”, ka thënë ai.

Ai rikujtoi se në lidhje me pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO është e nevojshme që çdo anëtar i NATO-s të miratojë protokollin.

“Kjo ka tre procese ligjore. Unë si kreu i Parlamentit procesin që Turqia duhet të bëjë lidhur me këtë e kam dërguar në Komisionin e jashtëm. Këtë e kemi dërguar më 31 maj. Marrëveshje të tilla diskutohen sipas një radhe të caktuar në Komisionin tonë të jashtëm. Sigurisht që kërkojnë një kohë të gjatë për shkak se ka shumë intensitet. Por, përpara se unë të mbërrija këtu bisedova me kryetarin e Komisionit të jashtëm që ky protokoll të merret më parë. Shpresoj që kjo do të diskutohet në Komisionin e Jashtëm javën e ardhshme. Dhe më pas sa më shpejtë të jetë e mundur, maksimalisht brenda një muaji ajo do të miratohet nga Asambleja jonë e Përgjithshme”, tha Şentop.

Şentop në kuadër të takimeve në qytetin e Manastirit ka vizituar edhe shkollën ushtarake ku ka studiuar udhëheqësi i madh veterani Mustafa Kemal Atatürk.

Kryeparlamentari turk Şentop ka vizituar edhe rrugën e njohur si "Shirok sokak", si dhe ka biseduar me banorët vendas dhe turistët e huaj.