Botë

Trumpi fton liderin e Koresë së Veriut të takohen në Zonën e Demilitiarizuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka ftuar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un për një takim në Zonën e Demilitarizuar, që ndanë Veriun dhe Jugun në Gadishullin Korean.

“Pas disa takimeve shumë të rëndësishme (në samitin e G20), do të nisem për në Japoni dhe Korenë e Jugut (takim me presidentin Moon). Teksa do të jem atje, nëse Kim do, unë do të takohesha me të në kufi vetëm për t’ia shtrënguar dorën dhe për ta përshëndetur”, shkroi Trump në Twitte, transmeton rel.

Më vonë, Koreja e Veriut tha se oferta e Trumpit për ta takuar Kimin në Zonën e Demilitarizuar “është një sugjerim shumë interesant” edhe pse u tha se ende nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Uashingtoni për një takim të tillë.

Duke folur me gazetarët pas përmbylljes së samitit të G20-ës, Trump tha se ai nuk do të kishte asnjë “problem” që të kalonte përmes kufirit për në Korenë e Veriut, nëse ai takohet me Kimin.

Nëse Trumpi do të bënte një gjë të tillë, ai do të bëhej presidenti i parë i SHBA-së që viziton Korenë e Veriut.

Trump dhe Kim janë takuar dy herë, në përpjekjet e SHBA-së për ta bindur liderin verikorean që të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.