Maduro vendos të hapë kufirin Venezuelë-Kolumbi

Maduro vendos të hapë kufirin Venezuelë-Kolumbi

08 June 2019 16:59

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro njoftoi sot se do të hapet kufiri me Kolumbinë në rajonin Taçira, i cili është i mbyllur që nga 22 shkurti.

“Më 8 qershor, e shtunë kam urdhëruar hapjen e kufirit tonë me Kolumbinë në rajonin Taçira. Ne jemi një komb që mbron në mënyrë të vendosur pavarësinë tonë dhe të drejtën për vetëvendosje”, ka thënë Maduro në një postim në rrjetet sociale.

Qeveria e Maduros vendosi të mbyllë kufirin e vendit të saj me Kolumbinë një ditë përpara përpjekjes së opozitës më 23 shkurt për futjen e ndihmës humanitare në Venezuelë.

Për mbylljen e kufirit u arsyetua se kishte kërcënime serioze dhe të paligjshme nga Kolumbia.

Ndërkohë, në rajonin Taçira të Venezuelës, ndodhen tri ura ndërkombëtare, “Ura Francisco de Paula Santander”, “Ura Simon Bolivar” dhe “Ura Las Tienditas”, të cilat lidhin vendin me Kolumbinë./Atsh/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme