SHBA godet Iranin me sanksione të reja

SHBA godet Iranin me sanksione të reja

07 June 2019 18:22

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për vënie të sanksioneve të reja kundër kompanisë gjigante të naftës në Iran, Ndërmarrjen e Industrisë Petrokimike, në kuadër të masave për t’i bërë presion Teheranit, që të negociojë një marrëveshje të re, që kufizon zhvillimin e raketave bërthamore dhe ato balistike.

Sanksionet e reja, të bëra të ditura më 7 qershor godasin kompaninë kryesore të naftës dhe 39 bashkëpunëtorë të huaj.

Kjo kompani njihet për 40 për qind të prodhimit të naftës dhe lëndëve kimike, dhe për rreth 50 për qind të eksportit të këtyre produkteve, transmeton rel.

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se kjo kompani ka ofruar ndihmë për një kompani të kontrolluar nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila javë më parë është shtuar në listën e “organizatave të huaja terroriste”.

Më 2018, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Sipas marrëveshjes, Iranit i është siguruar lirimi nga sanksionet në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Trump ka thënë se marrëveshja ka pasur “shumë të meta” sepse nuk ka përfshirë programin balistik të Teheranit dhe sponsorimin e terrorizmit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme