Botë

Stoltenberg: Me padurim presim Maqedoninë e Veriut në familjen e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Shkup theksoi se Maqedonia e Veriut po i gëzon që tani përfitimet si anëtare e ardhshme e NATO-s.

"Së shpejti, kur procesi i anëtarësimit tuaj do të përfundojë, me padurim do ta pres Maqedoninë e Veriut si vendi i tridhjetë anëtar në Aleancën tonë. Dhe ta shoh flamurin tuaj duke valëvitur para selisë sonë në Bruksel, si dhe në misionet dhe operacionet tona gjithkund në botë”. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Shkup. Sipas tij anëtarësimi i vendit në NATO është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin, po ashtu është i rëndësishëm edhe për të gjithë Aleancën Veriatlantike. Maqedonia e Veriut ka filluar t'i gëzojë përfitimet si anëtare e ardhshme e NATO-s, investimet po rriten dhe vitin e fundit këto investime janë rritur me të paktën tri herë, këto investime përforcojnë sigurinë dhe prosperitetin e vendit, vlerëson Stoltenberg.

E pamundura mund të bëhet realitet

Shefi i NATO-s gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut përgëzoi edhe njëherë Maqedoninë e Veriut për marrëveshjen e paprecedentë mes Shkupit dhe Athinës, ku me një determinim historik dhe me këmbënguljeje u arrit të shkruhet historia duke zgjidhur mosmarrëveshjen prej disa dekadash për çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut. Stoltenberg tha se të dyja vendet me këtë marrëveshje treguan se e pamundura mund të bëhet realitet dhe mosmarrëveshjet mes fqinjëve të marrin fund .

"Kjo marrëveshje do të sjellë ditë më të mira për Maqedoninë e Veriut duke bërë më të sigurt Aleancën dhe Maqedoninë e Veriut”, është shprehur shefi i NATO-së Stoltenberg.

Zaev: Anëtarësimi në NATO- do të thotë paqe e stabilitet

Mbajtja e takimit të sotëm të Këshillit Veriatlantik të NATO-s në Shkup, është vërtetimi më i mirë politik për anëtarësimin tonë të pritshëm fuqiplotë në Aleancë. Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë anëtarja e 30 e NATO-së, ka thënë kryeministri Zoran Zaev. Kjo vjen si rezultat i punës së qeverisë aktuale, të institucioneve dhe profesionistëve.

"Anëtarësimi në NATO për ne do të thotë paqë e stabilitet, është garancia më e fortë e sigurisë së vendit tonë. Besojmë se anëtarësimi në NATO do të sjellë jetë më të mirë për qytetarët tanë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Gjithnjë ka ekzistuar konsensus mbipartiak e mbietnik për anëtarësimin tonë në NATO. Është një nga idetë që na udhëhiqte edhe në periudhat më të vështira. Krizat e rënda politike i kaluam përmes rrugës së paqes, në mënyrë demokratiike dhe me dialog. Arritëm t'i kthejmë qëllimet tona demokratike që janë themel i NATO-s siç është sundimi i ligjit, institucione të pavarura e demokratike dhe media të lira”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg në Shkup ka ardhur së bashku me Këshillin Veri-Atlantik i cili është trupi më i lartë politik që drejton NATO-n dhe në të cilin ulen përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s. Vizita e tyre shihet si vula finale politike për anëtarësimin e sigurtë në NATO, sipas përgjegjësit për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Ata vijnë këtu për të treguar se janë të gatshëm dhe ne jemi të gatshëm që më tej të vazhdojmë bashkërisht që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë anëtare e 30 e NATO-së,, thekson Dane Taleski.

"Është me rëndësi të vijojë progresi në reforma ndërsa përgatitemi për anëtarësimin e plotfuqishëm, ndërsa ne vazhdojmë t'iu mbështesim në këtë rrugë”, ka deklaruar Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Xhaferri: Maqedonia beson në parimet e NATO-s

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka thënë së jemi të vetëdijshëm që anëtarësimi në NATO është kategori dinamike, e cila sjellë shumë përparësi dhe përfitime, por në të njëjtën kohë, kërkon shumë detyra. "Ruajtja e paqes dhe sigurisë në nivel global, menaxhimi me të gjitha sfidat, të cilat e rrezikojnë paqen, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, demokracia parlamentare dhe sundimi i së drejtës, të gjitha janë këto vlera, në të cilat bazohet NATO dhe të cilat janë detyrim i secilit vend anëtar. Maqedonia e Veriut beson në këto parime", ka deklaruar Talat Xhaferri, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët e vendit dhe ata të NATO-s vlerësojnë se procesi i ratifikimit të protokollit nga vendet anëtare për anëtarësimin e vendit vijon me ritëm të mirë. Nga firmosja e protokollit në shkurt deri më tani ai është ratifikuar nga 14 shtete anëtare të Aleancës. Procesi i ratifikimit mund të përfundojë edhe para Samitit të Aleancës të caktuar në dhjetor në Londër/DW.