Botë

Ushtria turke sulmon pikat e kurdëve në veri të Irakut

Ushtria turke ka filluar operacionin ushtarak, mbështetur nga artileria dhe sulmet ajrore, kundër kurdëve në një zonë malore të Irakut verior.

Ministria turke e Mbrojtjes ka bërë të ditur se me këtë operacion ushtarak, synohet neutralizimi i kurdëve dhe shkatërrimi i strehimoreve të tyre, transmeton KTV. Autoritetet turke njoftuan se operacioni kishte në shënjestër rajonin Hakurk të Irakut, që gjithashtu kufizohet me Iranin.

Videoja e publikuar nga Ministria tregoi helikopterët në terren malor. Përndryshe, në vitin 1984, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit filloi kryengritjen në Turqinë juglindore, kryesisht të populluar nga kurdët. Më shumë se 40,000 njerëz janë vrarë në konflikt.

Kjo parti konsiderohet grup terrorist nga Ankaraja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.