Botë

Suedia lëshon urdhërarrest për Assangen, një hap larg ekstradimit

Prokuroria suedeze që po heton akuzat e përdhunimit ndaj themeluesit të “WikiLeaks”-it, Julian Assange, ka lëshuar urdhërarrest për të.

Nëse miratohet ky urdhërarrest, do të jetë veç hapi i parë në procesin e ekstradimit të Assanget nga Britania, transmeton KTV. Në ishull ai po vuan dënimin me burgim prej 50 javësh për shkelje të lirisë me dorëzani.

Më 13 maj, Suedia rihapi rastin e përdhunimeve ndaj tij, e që ekzistonte që nga viti 2010. Pas arrestimit të tij në ambasadën e Ekuadorit në Londër, Prokuroria suedeze u arsyetua se tashti janë krijuar rrethanat për nisjen e hetimeve dhe ekstradimin e tij.

Hetimet për rastin e përdhunimit pushuan në vitin 2017 pasi Assange kërkoi strehim në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ekstradimin e tij e dëshiron dhe SHBA-ja ku akuzohet për publikimin e dokumenteve sekrete të ushtrisë dhe Qeverisë amerikan.