Papa Françesku ka lëshuar të enjten një dekret, i cili u kërkon të gjithë priftërinjve dhe murgeshave katolike në botë që t’i raportojnë abuzimet seksuale dhe mbulimet e rasteve të tilla para autoriteteve më të larta kishtare, në masën më të ashpër deri më tani kundër përgjegjësve për skandalin masiv të abuzimeve që e dëmtoi rëndë reputacionin e Kishës.
Dekreti i Papës, i cili përfshinë si abuzimet e fëmijëve ashtu edhe të të rriturve, po ashtu e obligon çdo dioqezë katolike në botë që të krijojë sisteme të thjeshta dhe të qasshme raportimi, duke e garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të raportuesit, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
Ky është dekreti i dytë i tillë i Papës që prej samitit të peshkopëve të lartë të Kishës, të mbajtur në Vatikan gjatë muajit shkurt.
Dekreti 19-pikësh, i quajtur “Vos Estis Lux Mundi” (Ju jeni drita e botës) e ngre nga 16 në 18 moshën madhore në rastet e abuzimeve seksuale. Përpos kësaj, dekreti parasheh po ashtu ndëshkimin e posedimit të materialeve pornografike me fëmijë.
Masa shihet si përpjekja më e fundit e Papa Françeskut për t’iu përgjigjur zemërimit global të nxitur nga skandali i abuzimeve seksuale dhe mbulimeve të tyre.