Botë

Erdogan: Votimet e reja në Stamboll, hap drejt fuqizimit të demokracisë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të martën se zgjedhjet e marsit në Stamboll ishin dëmtuar nga “korrupsioni i organizuar” dhe veprimet e kundërligjshme ndërsa pretendoi se vendimi për mbajtjen e votimeve të reja në këtë qytet përbën hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të demokracisë.

Në fjalimin para ligjvënësve të partisë së tij (AKP) në parlament, Erdogan qortoi njerëzit e rrafshit të biznesit që e kritikuan vendimin e Komisionit Zgjedhor për mbajtjen e rivotimit më 23 qershor, duke thënë se ata “duhet të dinë ku e kanë vendin”, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Shumica e kandidatëve për prefektë të Stambollit, si nga radhët e AKP-së në pushtet ashtu edhe nga opozita, kanë pretenduar se do të garojnë sërish më 23 qershor, pas anulimit të rezultateve të votimit të 31 marsit. Në zgjedhjet për Stambollin, kandidati i AKP-së, Binali Yildirim, u mposht nga ai i partisë opozitare CHP, Ekrem Imamoglu, i cili së fundmi e mori zyrtarisht detyrën e drejtimit të qytetit. Autoritetet zgjedhore turke i anuluan të hënën rezultatet që i shkaktuan një goditje të rëndë Erdoganit. Vendimi u mor pas apelit të AKP-së dhe kërkesës së partisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në qytetin më të madh të Turqisë.