Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

16 pacientë vdesin në spitalin e përmbytur nga shirat në Meksikë

Shirat e rrëmbyeshëm në Meksikën qendrore përmbytën papritur një spital të martën, duke lënë të vdekur 16 pacientë, që sipas gjasave vdiqën për shkak të humbjes së pajisjeve të oksigjenit pasi u prish rrjeti energjetik, tha Instituti Kombëtar i Sigurisë Shoqërore.

Një video e postuar nga instituti tha se rreth 40 pacientë të tjerë mbijetuan ndërsa ujërat u ngritën me shpejtësi në qendër të qytetit Tula, dhe përmbytën spitalin publik rreth orës 6 të mëngjesit.

Videoja e regjistruar brenda spitalit tregoi ujin deri në gjunjë ndërsa stafi u përpoq në mënyrë të furishme të lëvizte pacientët, raporton AP. 

Më vonë të martën, personeli i urgjencës evakuoi spitalin, duke ngarkuar pacientët në ambulanca për t'i dërguar në qendra të tjera shëndetësore.

Në spital po trajtoheshin 56 pacientë, rreth gjysma e tyre vuanin nga COVID-19.

Ekipet e shpëtimit të zjarrfikësve dhe ushtarëve drejtuan varkat nëpër rrugët e Tulës duke shpëtuar njerëzit nga shtëpitë e përmbytura.