Barr mbron Trumpin para publikimit të raportit të Muellerit për Rusinë

Barr mbron Trumpin para publikimit të raportit të Muellerit për Rusinë

18 April 2019 16:41

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, ka mbrojtur me shumë pasion të enjten presidentin amerikan, Donald Trump, në prag të publikimit të raportit të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller, rreth rolit të Rusisë në zgjedhjet e 2016-s, duke nënvizuar se aty nuk janë ofruar dëshmi për bashkëpunimin në mes të fushatës Trump dhe Moskës.

Barr, zyrtari i lartë amerikan i zbatimit të ligjit dhe i emëruari i Trumpit, mbajti një konferencë për shtyp në Departamentin e Drejtësisë, teksa provoi ta përcaktojë narrativin në ditën vendimtare për presidencën e Trumpit.

“Presidenti Trump është përballur me një situatë të pashembullt. Teksa e mori detyrën dhe u zotua t’i ushtrojë përgjegjësitë e tij si president, agjentët federalë dhe prokurorët i vëzhgonin me kujdes veprimet e tij para dhe pasi që e mori detyrën si dhe veprimet e disa ndihmësve të tij”, tha Barr, transmeton Koha.net.

“Në të njëjtën kohë, ka pasur spekulime të pandalshme në media rreth fajësisë personale të presidentit. Me gjithë këtë, siç tha ai qysh nga fillimi, në fakt nuk ka pasur bashkëpunim”, ka shtuar Barr.

Publikimi i raportit padyshim se do ta nisë një betejë të re politike në Kongres dhe në prag të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 2020-s, derisa Trumpi kërkon rizgjedhjen në vendin thellësisht të ndarë.

Pak pasi që Barri e mbajti konferencën për shtyp, Trump e postoi një fotografi të tijën në “Twitter”, rrethuar me fjalët: “S’ka bashkëpunim. S’ka pengim. Për dashakëqijtë dhe demokratët e të majtës radikale – LOJA MBAROI”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme