Botë

14 persona nxirren nga autobusi dhe ekzekutohen në Pakistan

Persona të armatosur, që mbanin uniforma policore dhe të forcave paramilitare pakistaneze, e kanë zënë në pritë një autobus mëngjesin e të së enjtes, duke ekzekutuar katërmbëdhjetë persona, pasi që ua kishin kontrolluar letërnjoftimet të gjithë pasagjerëve, duke detyruar një pjesë të tyre të dalin jashtë, në zonën e bregdetare në Pakistanin jugperëndimor, kanë bërë të ditur zyrtarët e këtij shteti.

Disa orë pas pritës, një grup i ri separatist në Pakistan, e ka marrë përgjegjësinë për vrasjet. Sulmi është dënuar nga mbarë Pakistani, teksa kryeministri i këtij shteti, Imran Khan e ka quajtur akt terrorist.

Sulmi ka ndodhur teksa autobusi po udhëtonte në destinacionin që lidh portin e Karachit dhe portin Gwadar, ka bërë të ditur zyrtari pakistanez, Jehangir Dashti, raporton “Associated Press”, transmeton “Koha Ditore”

Dashtu ka bërë të ditur se pasagjerët e marrë në cak në sulm janë vrarë pasi që sulmuesit i kanë kontrolluar letërnjoftimet e tyre, por nuk ka mundur të konfirmojë nëse të gjithë viktimat ishin nga Punjabi.