Botë

Tetë viktima nga stuhitë dhe tornadot në SHBA

Tetë persona llogaritet të kenë humbur jetën për shkak të motit të keq që ka përfshirë jugun e Shteteve të Bashkuara që prej javës së kaluar. Ndërkohë, stuhitë dhe tornadot po zhvendosen për në Bregun Lindor, ku kanë shkaktuar problemet e para në sektorin e transporteve.

Të paktën 8 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas stuhive dhe tornadove që shkaktuan përmbytje e dëme në zona të shumta në jug të Shteteve të Bashkuara. Viktimat u verifikuan në Misisipi, Teksas dhe Luiziana.

Disa nga të plagosurit mbetën të bllokuar për disa orë në rrënojat e shtëpive pasi skuadrat e shpëtimit hasën vështirësi për shkak të bllokimit të rrugëve. Autoritetet deklarojnë se të paktën 11 tornado prekën tre shtetet përpara se stuhia të fillonte të zhvendosej drejt Bregut Lindor.

Në Ohajo, Karolinën e Jugut dhe Virxhinia qytetarët janë udhëzuar të bëjnë kujdes nga stuhitë. Në Pollok të Teksasit, rreth 240 kilometra në jug-lindje të Dallasit, dy fëmijë humbën jetën pasi një pemë ra mbi makinën me të cilën udhëtonin bashkë me prindërit e tyre.

Ndërkohë, në lokalitetin tjetër të Teksasit, Alto, një person u vra dhe shumë të tjerë u plagosën pasi një tornado vërshoi në vendin ku po mbahej një event kulturor. Ndërsa në Frenklin, rreth 60 ndërtesa u shkatërruan, mes të cilave 55 shtëpi dhe të tjerat zyra të shërbimit publik.

I njëjti skenar u përsërit edhe në Hamilton të Misisipit, ku u shkatërrua edhe reparti i zjarrfikësve. Dëme dhe viktima janë verifikuar edhe në lokalitete të tjera, teksa stuhia është spostuar në lindje, duke shkaktuar vonesa në udhëtime në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Pensilvani. Gjithashtu, mot i keq me shira dhe erëra të forta janë parashikuar edhe për ditën e maratonës së Bostonit./abcnews.