Botë

Franca do të hetojë rolin e vetë në gjenocidin në Ruandë

Foto: Reuters

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka caktuar disa hulumtues që të kryejnë një hetim dyvjeçar mbi rolin e ushtrisë së Francës në gjenocidin e Ruandës që ende është burim i tensioneve mes Parisit dhe Kigalit 25 vjet pas.

Komisioni prej 9 anëtarësh do të ketë qasje në arkivat presidenciale, diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës, ka thënë të premten presidenca franceze, pasi Macroni takoi anëtarë të një asociacioni që mbështet të mbijetuarit e gjenocidit.

“Synimi është të hartojmë një raport i cili do të publikohet pas dy vjetësh... dhe do të jetë në dispozicion për të gjithë. Do të vlerësojë shkencërisht, bazuar në arkivat, rolin e Francës të luajtur në Ruandë nga viti 1990 deri më 1994”, ka thënë presidenca franceze, raporton Reuters.

Paraardhësi i Macronit, François Hollande, deklasifikoi arkivat presidenciale mbi këtë temë më 2015, por hulumtuesit janë ankuar se vetëm një pjesë e dokumenteve të klasifikuara është hapur dhe thonë se roli i Francës në këtë gjenocid ende nuk dihet saktë, transmeton Koha.net.

Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, ka akuzuar Parisin për bashkëfajësi në gjakderdhjen ku milicia hutu vrau rreth 800 mijë tutsi dhe hutu të moderuar.

Ndërsa Parisi ka pranuar gabimet në Ruandë, vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat se ka trajnuar milicët për të marrë pjesë në masakër.

Dy vendet prishën marrëdhëniet diplomatike më 2006 pasi një gjykatës parisien akuzoi Kagamen dhe nëntë ndihmës për rrëzimin e aeroplanit të ish-presidentit Juvenal Habyarimana prillin e vitit 1994 — katalizator i masakrës. Ruanda ka mohuar akuzat.

Franca e Ruanda megjithatë rikthyen marrëdhëniet diplomatike nëntorin e vitit 2009, por kjo e fundit ka kohë që i bën thirrje Parisit të ndjekë të arratisurit fajtorë për gjenocidin që jetojnë në tokën franceze.

Shkollat franceze do të nisin të mësojnë për gjenocidin në Ruandë nga shtatori i vitit 2020.