Botë

Rumania arreston dy serbë të kapur me kokainë në vlerë prej 300 milionë euro

Foto: AP

Autoritetet rumune kanë konfiskuar më shumë se një ton kokainë (1,040 kilogramë) të cilësisë së lartë në një varkë të kapur në lumin Danub Delta.

Me këtë rast, autoritetet kanë arrestuar edhe dy persona, të dy këta shtetas serbë.

Policia futi të martën qeset me kokainë, me një vlerë të shitjes në rrugë prej 300 milionë euro, në ndërtesën e agjencisë që heton krimin e organizuar në Bukuresht, kryeqytetin rumun.

Felix Banila, kryeprokuror në Drejtoratin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, tha për AP-në se policët gjetën kokainën më 22 mars të mbështjellë në qese afër një varke të konfiskuar në qytetin lindor të Sfantu Gheorghe, transmeton Koha.net.

Gjetja erdhi pak ditë pasi ata gjetën një pako të ngjashme me kokainë në zonë që kishte rënë nga një kamion.

Banila tha se droga kishte arritur në vend përmes detit dhe po kalonte përmes Rumanisë.

Njëri nga të dyshuarit u arrestua në pikëkalimin kufitar me Serbinë, ndërsa tjetri raportohet të jetë arrestuar në Rumani derisa po e ngiste një kamion të regjistruar në Serbi.